Bamir Topi shpërthen ndaj Berishës: Ka shkatërruar opozitën!
Ish-presidenti Bamir Topi ka ofruar një lexim të ashpër të gjendjes brenda opozitës, duke deklaruar se ajo ka humbur çdo vlerë reale dhe se elektorati demokrat është zhgënjyer thellë. Sipas tij, problemet e kësaj force politike lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si është drejtuar ndër vite.
Topi u ndal veçanërisht te figura e Sali Berishës, për të cilin tha se ka qenë faktori kryesor në dobësimin e opozitës, duke mbytur sistematikisht çdo mendim ndryshe brenda partisë. Ai theksoi se çdo përpjekje për të ngritur zë kritik është neutralizuar, ndërsa bashkëpunimet me drejtues të tjerë të vjetër të opozitës i cilësoi si përpjekje për të mbajtur nën kontroll të njëjtin rreth politik.
Sipas Topit, problemi nuk qëndron thjesht te kapja e një partie, por te përqendrimi i pushtetit mbi gjithë sistemin politik. Ai shtoi se e njëjta logjikë funksionon edhe në anën tjetër të spektrit politik, ku pushteti dhe politika janë bërë të pandashme nga interesat personale.
Në këtë kontekst, ish-presidenti theksoi se një lider ka peshë vendimtare vetëm kur drejton një formacion vërtet demokratik. Ndërsa, sipas tij, degradimi më i madh ndodh kur një mandat politik shihet si një vend pune, me privilegje, rrogë dhe influencë, duke e quajtur këtë qasje tradhtinë më të rëndë që u është bërë mbështetësve demokratë.
“Berisha është vetë personi që ka shkatërruar në mënyrë sistematike opozitën. Çdo zë i lirë që ka tentuar të dalë është shuar. Edhe manovrat për të punuar me krerë të partive të tjera të opozitës që kanë një jetë që janë aty si Berisha është tentativë për të monopolizuar një sistem. E njëjta gjë ndodh në krahun tjetër kanë të njëjtat karakteristika. Politika është e lidhur me pushtetin. Lideri është shumë i rëndësishëm, por lider në një formacion demokrat. Nuk është problemi që ke monopolizuar një parti, por ke monopolizuar një sistem. Mos mendoni ju që nuk kanë benefite këto të opozitës? Niveli më i ulët është kur e mendon një pozicion politik si një vend pune, ku ke benefite, rrogë, punë, influencë kjo është tradhtia më e madhe që iu është bërë demokratëve”, tha Bamir Topi në “Kjo Javë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



