‘Zbulohet’ kulla 35-katëshe që çoi në SPAK Bledi Shkëmbin
Lidhja me biznesmenen Erinda Lutaj
Paraqitja e ish-lojtarit të Skënderbeut dhe trajnerit aktual të Strugës në Maqedoninë e Veriut, Bledi Shkëmbi, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka surprizuar komunitetin e futbollit, por jo botën e biznesit.
Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Shkëmbi vijoi karrierën si trajner dhe paralelisht është angazhuar në sipërmarrje, ku mban funksionin e administratorit të shoqërisë “Top Seven Construction SHPK”.
Sipas bazës së të dhënave “Open Corporates”, pronare de jure e kompanisë është Erinda Lutaj, e cila zotëron 100% të aksioneve.
Emri i Lutajt ka qenë i lidhur më parë me vendime të rëndësishme ndërtimi: rreth një vit më parë, Kryeministri Edi Rama firmosi 11 leje ndërtimi, përfshirë një për një kullë 35-katëshe në zonën e Laprakës. Vetëm tre muaj pas krijimit të shoqërisë “Top Seven”, u dorëzua kërkesa për lejen e ndërtimit të kësaj kulle pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Bashkisë së Tiranës.

Vendimi i KKT për lejen e ndërtimit përcaktonte objektin “Top Seven Tower” me 33-35 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, një projekt kompleks rezidencial dhe shërbimesh, por me një kapital të deklaruar prej vetëm 1 milion lekësh dhe humbje prej 960 milionë lekësh. Megjithëse vlera e projektit shkon rreth 80 milionë euro, kompania kishte vetëm tre punonjës dhe administratori deklaronte marrje huash me këste mujore simbolike.
Raportimet mediatike lidhin gjithashtu Erinda Lutajn me Frida Krifcën, ish-drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, periudhë kur Bashkimi Europian bllokoi fondet për dyshime të keqpërdorimit të rreth 135 milionë eurove. SPAK vijon hetimet, megjithëse prokurorët nuk kanë dhënë detaje mbi këtë rast.
Vetë Shkëmbi, pas daljes nga SPAK, deklaroi për mediat se paraqitja e tij lidhej me bllokimin e një automjeti në emrin e tij. Megjithatë, mbetet e paqartë lidhja e këtij veprimi me hetimin penal dhe arsyet reale të paraqitjes së tij.
Roli i Shkëmbit si administrator në shoqërinë “Top Seven” dhe aktiviteti i shpejtë financiar i kompanisë ngre pyetje serioze mbi procedurat dhe investimet që lidhen me projektin e madh të kullës 35-katëshe në Tiranë, duke e bërë këtë rast një ndër më të ndjekurit për kombinimin mes sportit, biznesit dhe hetimeve të SPAK-ut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




