Apeli “çliron” Aeroportin e Vlorës, 47% e aksioneve mbeten të ngrira

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka rikthyer, të paktën për momentin, funksionimin normal të kantierit të ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Trupa gjykuese e përbërë nga Arta Duka, Sokol Pina dhe Valbona Vata ka shfuqizuar vendimin e 17 tetorit të Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili kishte pezulluar marrjen e çdo vendimi në shoqërinë “Vlora International Airport – VIA”. Ky pezullim ishte vendosur pas ndalimit të ushtrimit të së drejtës së votës për kompaninë “Mabco Constructions SA”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, aksioneri kryesor i aeroportit.

Megjithatë, Apeli ka vendosur një masë tjetër sigurie, duke pezulluar përkohësisht të drejtën e votës së “Mabco Constructions” vetëm për vendimet që kanë të bëjnë me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit. Ky pretendim është ngritur nga ortaku tjetër, Valon Ademi, përfaqësues i kompanisë “2A Group”.

Fillimisht, Ademi zotëronte 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Pas largimit të kompanisë turke “Yda” nga projekti, aksionet e saj iu shitën Pacollit për shumën prej 4.200 eurosh. Ademi ka deklaruar se ekzistonte një marrëveshje mes tij dhe Pacollit, sipas së cilës 47% e aksioneve do t’i kalonin atij, çka solli edhe përplasjen gjyqësore mes palëve.

Pas vendimit të Apelit, Behgjet Pacolli reagoi publikisht duke falënderuar gjykatën, duke theksuar se aeroporti i Vlorës i është rikthyer “normalitetit institucional dhe rendit ligjor”. Sipas tij, aktiviteti në aeroport do të vijojë pa pengesa.

“Po rikthehet normaliteti në Aeroportin e Vlorës. Kontributi për shtetin dhe shoqërinë përmes punës së ndershme dhe respektimit të ligjit është akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare. Drejtësia, edhe pse shpesh përballet me sfida, mbetet e pashmangshme. Nga sot, në Vlora International Airport rikthehen rendi ligjor, stabiliteti institucional dhe besimi”, shkroi Pacolli në një postim në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, përtej konfliktit civil mes ortakëve, çështja ka marrë edhe një dimension penal. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Behgjet Pacollit, vëllait të tij Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelës, administrator i kompanisë mëmë “Mabco Construction S.A.” në Zvicër. Ata dyshohen për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, mashtrimit kompjuterik dhe falsifikimit të dokumenteve dhe akteve.

Publikuar nga Publik Media