E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali me pronën publike ‘1 euro’, si e bëri Rama ‘perandor’ KARlon
Lajme

Skandali me pronën publike ‘1 euro’, si e bëri Rama ‘perandor’ KARlon

Vendime qeverie të qepura me porosi, institucione që mbyllën sytë dhe firma që anashkaluan ligjin

Nga Kryeministria te Ministria e Financave, zinxhiri i firmave që hapën rrugën e abuzimit

Evis Berberi e kuptoi që një pjesë e parave të korrupsionit duhen çuar për të blerë mediat! Po ju, të dashur qytetarë, a e keni kuptuar se si media të caktuara ju mashtrojnë, ju shtrembërojnë realitetin, sepse paguhen me paratë tuaja të vjedhura?

Nëse ju duken të pamjaftueshme provat e deri tanishme të SPAK, në vijim do t’ju tregojmë se vetëm Carlo Bollino, i cili erdhi në Shqipëri si një gazetar me çantë shpine, sot rezulton një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore, pronave apo edhe projekteve. Siç Balluku i thoshte Berberit se e ka mbyllur me Ramën, duket se zemërgjerësia e kryeministrit ndaj biznesmenit italian ka qenë aq e madhe, sa që për llogari të tij u vodhën qytetarët shqiptarë.

Ky është Karlo Bolino, një gazetar italian, që në fillimet e Demokracisë mbërriti në Shqipëri dhe nisi një karrierë herë si gazetar e herë si biznesmen në fushën e medias dhe jo vetëm…

Bolino ka qenë drejtues dhe bashkëthemelues i disa mediave informative në vend, ndërsa prej më shumë se një dekade, gazetari-biznesmen zotëron Report Televizion dhe portalin Shqiptarja.com, media që shpesh tejkalojnë me zell edhe propagandën e përcjellë nga ERTV.

Dhe kjo duket se nuk lidhet me linjën ideologjike apo editoriale të gazetarit Karlo, por me benefitet e pafundme që ka përfituar biznesmeni Bolino nga pushteti i Edi Ramës, e mes tyre edhe vetë godina e televizionit, ku interesi qytetar vjen pas interesit qeveritar.

Më 2 tetor të vitit 2019, me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, u miratua lidhja e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si qiradhënës dhe shoqërisë MTSC sh.p.k. si qiramarrës, për pasurinë shtetërore “Ish-ndërmarrje metalike ‘Tirana’” (Reparti i orëve), prona nr. 19, me numër pasurie 7/649, me sipërfaqe të përgjithshme 4021.50 m², nga të cilat sipërfaqe ndërtimore 1624.44 m² dhe sipërfaqe funksionale 2397.06 m², zona kadastrale 8220, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr. 1, Tiranë, për një periudhë 20 (njëzet) vjet.

Që të arrihej deri në marrjen me qira të kësaj prone, qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama bëri një sërë ligjesh dhe aktesh.

Fillimisht, në datën 5 shkurt të vitit 2014, Këshilli i Ministrave miraton Vendimin nr. 54, me objekt: “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”.

Në këtë vendim përcaktoheshin modalitetet për dhënien me qira të aseteve shtetërore, duke përcaktuar edhe se cilat prona mund të jepeshin me qira si dhe cilët mund të ishin përfitues të këtyre pronave.

Por, në vitin 2014, në VKM-në fillestare nuk ishte parashikuar që përfitues të pronave dhe aseteve publike të ishin edhe biznese në fushën e medias…

Ndaj, qeveria shqiptare ndërhyn përsëri në vendim, duke kryer një seri ndryshimesh, në total 9 të tilla, të cilat duket se u përshtatën që Karlo Bolino të përfitonte mbi 4 mijë metra katrorë pronë publike…

Një nga ndryshimet që pësoi VKM-ja nr. 54 e 5 shkurtit 2014 është Vendimi nr. 445 i datës 20 maj të vitit 2015. Sipas ndryshimeve të bëra në VKM, në kreun V të vendimit bëhej shtesë: pas shkronjës “c” të pikës 2, shtohen shkronjat “ç” dhe “d”, me këtë përmbajtje:

“ç) veprimtari në fushën e arsimit, mediave, me nivele investimi mbi 200 000 000 (dyqind milionë) lekë…”

Me këtë ndryshim, qeveria i hapte rrugën Karlo Bolinos të synonte marrjen me qira 1 euro të pronave publike.

Dhe një muaj pas këtij ndryshimi në Vendimin e Këshillit të Ministrave, në datën 15 qershor të vitit 2015, themelohet shoqëria MTSC, në pronësi të shtetases Lindita Dode, e cila më pas do t’i shiste aksionet e kompanisë për 3.5 milionë lekë Karlo Bolinos.

Pas të gjitha ndryshimeve ligjore, në datën 22 korrik të vitit 2019, në Buletinin nr. 29 të Agjencisë së Prokurimeve Publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikon njoftimin për dhënien me qira të pasurisë 7/649 me sipërfaqe të përgjithshme 4021.5 m² dhe sipërfaqe ndërtimore 1624.44 metra katrorë, pasuri kjo në administrim të Ndërmarrjes Industriale nr. 1 në Tiranë. Kjo pronë, në fakt, ishte ish-reparti i orëve në ish-uzinën mekanike në Tiranë.

Objekti i prokurimit përcaktonte që në fillim se prona dilte në konkurrim me detyrimin e qirasë në vlerën e 631 156 lekëve, apo rreth 6 mijë euro në muaj, apo rreth 72 mijë euro në vit, dhe e llogaritur kjo për 20 vjet, qiramarrësi i kësaj prone do të duhet t’i paguante shtetit në total rreth 1.4 milionë euro.

Duket qartë se shteti kishte përllogaritur vlerën e truallit dhe të godinave që do të jepeshin me qira për shfrytëzim, duke përcaktuar si vlerë minimale për dhënien me qira të tyre shumën prej 6 mijë eurosh në muaj. Thënë ndryshe, kompania e Karlo Bolinos, sipas prokurimit fillestar, do të duhej të merrte me qira këtë pronë kundrejt pagesës 6 mijë euro në muaj apo 72 mijë euro në vit.

Pas shpalljes së procedurës për dhënien me qira të 4 mijë metrave katrorë pronë publike, zhvillohet edhe konkurrimi, ku fitues shpallet pikërisht kompania MTSC e Karlo Bolinos. Me një vendim të datës 2 tetor të vitit 2019, qeveria zyrtarizon edhe lidhjen e kontratës për dhënien me qira të 4 mijë metrave katrorë truall dhe tre godinave për kompaninë MTSC të Karlo Bolinos.

Por çuditërisht, ndryshe nga procedura e konkurrimit, ku përcaktohej se prona do të jepej me qira kundrejt pagesës 6 mijë euro në muaj, në kontratën e lidhur mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, drejtuar nga Anila Denaj, dhe kompanisë MTSC të Karlo Bolinos, përcaktohet se pagesa që Report TV do t’i paguajë shtetit për 4 mijë metra katrorë truall dhe ndërtesa është në vlerën simbolike 1 euro, madje edhe duke i lënë hapësirë për privatizim të kësaj prone në përfundim të kontratës 20-vjeçare.

Pra, thënë ndryshe, shteti ia fali Karlo Bolinos shfrytëzimin për 20 vjet të tre godinave ekzistuese me 4 mijë metra katrorë truall në total, për vetëm 1 euro, qartazi një shkelje e rëndë ligjore.

Në fakt, për t’i hapur rrugë dhënies me qira të kësaj prone me vlerën vetëm 1 euro, rikthehemi përsëri te Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 5 shkurt të vitit 2014. Në ndryshimet që iu bënë VKM-së, vetëm një muaj para themelimit të kompanisë MTSC nga Karlo Bolino, u parashikua në ligj se: kur pas përfundimit të procedurave të konkurrimit rezulton fitues një subjekt, i cili propozon që në pasurinë shtetërore që jepet me qira do të zhvillohet një prej veprimtarive të mëposhtme, ku përfshihej shfrytëzimi i pronës për qëllime mediatike, institucioni që zhvillon procedurën dhe që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit shtet për pasurinë shtetërore, i propozon Këshillit të Ministrave të miratojë lidhjen e kontratës së qirasë jo me çmimin fitues, por me çmimin simbolik 1 euro/kontrata.

Deri këtu, duket qartë se qeveria krijoi kushtet e nevojshme që mijëra metra katrorë truall dhe ndërtesa, pasuri shtetërore, t’i faleshin për vetëm 1 euro Karlo Bolinos, i cili i shërben pikërisht propagandës qeveritare.

Pas marrjes në dorëzim të 4021.50 metrave katrorë truall dhe ndërtesa, Karlo Bolino shton ambiciet për shfrytëzimin e kësaj prone. Në kontratën fillestare të qirasë së firmosur mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë MTSC të Karlo Bolinos, ishte e përcaktuar qartë se Bolino do të merrte 1624 metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, pra godinat ekzistuese të ish-ndërmarrjes së orëve, të cilat do t’i rikonstruktonte me qëllim që t’i përshtaste ato për studio televizive. Ja çfarë shkruhej në nenin 2 të kontratës fillestare mes MTSC-së së Karlo Bolinos dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Kontrata e qirasë

Neni 2 – Qëllimi i përdorimit

Qëllimi i kësaj kontrate është dhënia në gëzim të përkohshëm e objektit të përcaktuar në nenin 1, për rikonstruksionin total të sipërfaqes ndërtimore (godinës), duke e kthyer me parametrat teknike të një televizioni bashkëkohor dhe ambiente pune të përshtatshme dhe cilësore. Në to do të instalohen makineri të teknologjisë moderne, të cilat do të mundësojnë rritjen e sasisë dhe cilësisë së programeve në funksion të ngritjes së një qendre mediatike të transmetimeve radio-televizive bashkëkohore.

Pasi iu fal kjo pronë nga shteti, Karlo Bolino duhet të investonte në rikonstruksionin e godinave ekzistuese të ish-repartit të orëve, me qëllim që ato të ktheheshin në studio televizive. Madje, në kontratë ishte parashikuar edhe investimi që do të kryhej sipas planit të biznesit që kompania e Karlo Bolinos kishte dorëzuar në procedurën e konkurrimit për marrjen me qira të kësaj prone. Në kontratë parashikohej investimi në faza, konkretisht:

Pjesë nga kontrata

“Qiramarrësi”, shoqëria MTSC sh.p.k., sipas planit të biznesit të paraqitur në konkurrim, do të investojë për rikonstruksionin total të sipërfaqes ndërtimore (godinës), duke e kthyer me parametrat teknike të një televizioni bashkëkohor dhe ambiente pune të përshtatshme dhe cilësore.

Sipas këtyre parashikimeve, Karlo Bolino duhet të zhvillonte pronën ekzistuese duke bërë ndërhyrjet restauruese, në mënyrë që godinat të përshtateshin për studio televizive. Mirëpo, vetëm pak javë pasi lidhi kontratën e qirasë për marrjen e pronës në dorëzim, ku parashikohej rikonstruksioni i godinave, Karlo Bolino bën një tjetër lëvizje. Këtë herë ai aplikon pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ku kërkon leje ndërtimi për një godinë të re.

Fiks tre muaj pas miratimit të kontratës së qirasë, në datën 13 janar të vitit 2020, qeveria miraton Vendimin nr. 12 të Këshillit Kombëtar të Territorit për “Miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin: ‘Godinë multi-screen e televizionit Report TV’, si dhe ambiente ndihmëse teknike dhe administrative për shërbime të televizionit”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues shoqërinë “MTSC” sh.p.k., ndërkohë që kjo kompani nuk kishte marrë ende pronësinë mbi të gjithë sipërfaqen ndërtimore të godinave.

Ky vendim që shihni në ekran, që mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, duket se është një nga shkeljet më të rënda të kësaj afere. Leja e ndërtimit për godinën e re të Report TV u dha në bazë të kontratës së marrjes me qira të truallit dhe godinave të ish-repartit të orëve, ku në kontratë përcaktohej qartë se nuk mund të ndërtohej godinë e re, por se ato ekzistuese mund të riparoheshin dhe të përshtateshin për studio televizive.

Por ky vendim i qeverisë që favorizon Karlo Bolinon tregon se gjithçka ka qenë e mirëmenduar dhe procedurat janë bërë fiktive. Kjo gjë do të vërtetohet jo vetëm nga objekti i kontratës fillestare të qirasë, që nuk parashikonte në asnjë moment ndërtimin e godinave të reja, por edhe nga fakti se pas vendimit për ta pajisur Karlo Bolinon me leje ndërtimi për një godinë të re, qeveria do të merrte një sërë aktesh të tjera që do t’i hapnin rrugë këtij procesi.

Por që t’i hapej rrugë ndërtimit të godinës së re, fillimisht duhej që Karlo Bolino të merrte në zotërim të plotë të gjithë sipërfaqen ndërtimore të tre godinave që gjendeshin në ish-repartin e orëve të uzinës mekanike. Për këtë qëllim, në datën 19 shkurt të vitit 2020, pra pak më shumë se një muaj nga dhënia e lejes së ndërtimit për godinën e re, qeveria rishikon kontratën e dhënies me qira të ish-repartit të orëve për Karlo Bolinon.

Sipas relacionit të shtesës së kontratës, me propozim të Ndërmarrjes Industriale nr. 1 Tiranë të datës 12 shkurt 2020 dhe me kërkesë të shoqërisë MTSC të datës 10 shkurt 2020, kompania e Karlo Bolinos kërkon shtesë sipërfaqeje ndërtimore. Konkretisht, në sipërfaqen ndërtimore 1624.44 m² shtohet sipërfaqja ndërtimore 872.6 m², e cila është kati i dytë nga toka i objektit nr. 1, dhe sipërfaqja ndërtimore nga 2397.06 m² bëhet 2497.04 m². Sipërfaqja e përgjithshme e pronës së marrë me qira bëhet 4894.1 m², prej nga sipërfaqe totale e truallit 4021.5 m², nga të cilat sipërfaqe funksionale 2397.06 m² dhe sipërfaqe ndërtimore 2497.04 m², sipas genplanit bashkëlidhur kësaj anekskontrate.

Dëm i shkaktuar shtetit nuk është vetëm pasuria publike e dhuruar Carlo Bollinos. Në vijim do t’ju tregojmë se si, duke luajtur vendimet e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe ndërhyrjeve në Gjykatë, një faturë tjetër prej 2.9 milionë eurosh është marrë nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë për të kompensuar ish-pronarët. Dhe këtë herë skandali përfshin edhe personazhe të sistemit të drejtësisë, pasi përfitues janë Naureda Llagami, ish-kryetarja e KLGJ-së, në emër të paraardhësve të saj. Gjykata dhe ATP, në vend të procedonte sipas ligjit për kthimin e pronës, që siç rezulton ishte e lirë, ka vendosur që ish-pronarët të kompensohen me jo pak, por 2.9 milionë euro, për pronën që me bekimin e qeverisë së Edi Ramës iu dhurua Carlo Bollinos.

Emisioni Plug vazhdoi investigimin për pronësinë e tokës mbi të cilën Carlo Bollino ndërtoi televizionin Report TV. Skandali thellohet edhe më tej, dhe tashmë përfshihet jo vetëm qeveria, por edhe sistemi i ri i drejtësisë. Skema e dyshimtë zbulohet nga një vendim gjykate, që publikohet ekskluzivisht nga emisioni Plug. Pjesë e pronës së përfituar nga Carlo Bollino është në pronësi të shtetases së ndjerë, Sabrie Llagami, gjyshja e kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.

Trashëgimtarët e Sabrie Llagamit i janë drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë Tiranë me kërkesën nr. 1461. Me vendim të K.K.K.P. Bashkia Tiranë nr. 667, datë 16.06.1996, është vendosur:

“Të njohë Sabrije Llagami, trashëgimtarët e saj, si ish-pronarë të pronës së përbërë nga një truall me sipërfaqe 9,500 m² me këto kufij… Të kompensojë trashëgimtarët ligjorë të ish-pronares Sabrije Llagami për truallin e zënë me ndërtime të përhershme dhe shtetërore (pallate, rrugë, shtëpi dhe parku automobilistik i tregtisë) me sipërfaqe 9,500 m² me një nga mënyrat që përcakton neni 6 i Ligjit nr. 7698, datë 15.04.1993…”.

Me vendimin nr. 668, datë 16.08.1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është njohur prona duke përcaktuar edhe kufijtë fiks se sa është sipërfaqja dhe ku ndodhet kjo pronë:

“1. Të njohë Sabrije Llagamin ish-pronare të një prone të përbërë nga një truall me sipërfaqe 5,650 m² që ndodhet në sinorin Shëngjin, në Lagjen e Re të Tiranës, e cila kufizohet: Lindje me tokën që ka marrë për pjesë Dylbere Vaqarri, Perëndimi me tokën e Ismail Haxhi Pëllumbit, Veriu me rrugën Kroi Shëngjinit dhe Jugu me tokën e vëllezërve Begeja. Prona kthehet dhe kompensohet si vijon:

Trualli i lirë me sipërfaqe 1,740 m² (siç përcaktohet në Gent-plan, duke përfshirë edhe ndërtime pa leje) dhe në bazë të nenit 19 të Ligjit nr. 7698, datë 15.04.1993, i njihet dhe i kthehet pronares Sabrije Llagami, pronësia mbi këtë truall.

Trualli i zënë me ndërtime të përhershme (godina dhe terrene sportive të Klubit Sportiv Partizani me sipërfaqe 3,910 m²) dhe në bazë të nenit 16 të Ligjit nr. 7698, datë 15.04.1993, të kompensohet pronarja Sabrije Llagami (trashëgimtarët e saj) për sipërfaqen e truallit të sipërpërmendur me një nga mënyrat e parashikuara në këtë nen. Në bazë të nenit 21 të Ligjit nr. 7698, datë 15.04.1993, i njihet pronarëve Sabrije Llagami (trashëgimtarëve të saj) e drejta e parablerjes të objekteve sportive të Klubit Partizani, të përbërë nga një pjesë e palestrës me sipërfaqe 140 m², të godinës 4 KT me sipërfaqe 200 m², të godinës 2 KT me sipërfaqe 250 m², një pjesë e bandës me sipërfaqe 360 m² dhe terrene sportive të klubit sportiv Partizani me sipërfaqe 2,960 m² kur ato të privatizohen.

2. Një sipërfaqe trualli prej 8,470 m² komisioni i ka njohur pronësinë familjes Saliaga me vendimin nr. 7, datë 15.04.1995”.

Nga përcaktimet e kufijve të pronës dhe detajeve të godinave të përfshira të Klubit Partizani, si dhe kufitarët vëllezërit Begeja dhe familja Saliaga, kuptohet qartë se toka është pikërisht aty ku Carlo Bollino ka ngritur televizionin, i cili hapet dhe mbyllet duke sharë e fyer opozitën.

E madje ishte media që organizoi një fushatë akuzash dhe shpifjesh, duke i kërkuar llogari Jamarbër Malltezit pse po në atë zonë mori pronën e trashëguar nga gjyshërit e tij. Me standardin e Carlo Bollinos, përfitues duhet të ishte ai dhe jo trashëgimtarët e familjeve autoktone.

Trashëgimtarët e ish-pronares Sabrije Llagami i janë drejtuar kohë më parë ATP, ku i kanë kërkuar të bëjë vlerësimin financiar të pronës së tyre të disponuar me vendimin nr. 667, datë 16.08.1996 të KKKP-së. Me shkresën nr. 10160/1 prot., datë 27.11.2020, ATP iu kthen përgjigje kërkuesve se nuk identifikohet me prova zëri kadastral në të cilin ka bërë pjesë kjo pronë në kohën e shpronësimit dhe se në vitin 1941 kjo pronë ka qenë tokë bujqësore.

Sa më sipër, pala paditëse dhe ndërhyrësit kryesorë si trashëgimtarë të ish-pronares Sabrije Llagami, më 27.07.2020, i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me padinë. Pra deri këtu shihet se trashëgimtarët e Sabrie Llagamit i janë drejtuar Agjencisë së Trajtimit të Pronave për të bërë vlerësimin dhe kompensimin financiar dhe deri në vitin 2020 nuk e kanë përfituar.

Një nga trashëgimtarët e Sabrie Llagamit është dhe i biri, Adnan Llagami, i ati i Naureda Llagamit, e cila që nga dhjetori i vitit 2018 mban detyrën e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky pozicion i një prej trashëgimtarëve do të ishte i mjaftueshëm për ndërhyrje në sistemin gjyqësor, që në kulmin e bllokimit të dosjeve, Gjykata të merrte vendimin në kohë rekord.

Siç shprehej në vendim, trashëgimtarët i janë drejtuar kohë më parë ATP, por çuditërisht kjo e fundit i është përgjigjur në nëntor të vitit 2020. Kohë kjo që lidhet me ndërtimin e televizionit Report TV.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 2179, datë 06.07.2021, ka vendosur:

Pranimin e kërkesëpadisë së paditësve Adnan Llagami, Argjend Tafaj, Lindita Tafaj, Kamela Tafaj, Megi Tafaj, Adela Vasili, Mirnije Llagami, Artan Verzivolli, Arta Shehu.

Pranimin e kërkesëpadisë së ndërhyrësve kryesorë Rudina Llagami, Artur Llagami, Ervin Llagami, Ardian Llagami.

Vlerësimin financiar të vendimit nr. 667, datë 16.08.1996, të ish-Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pranë Bashkisë Tiranë në vlerën monetare 292,438,500 lekë (rreth 2.9 milion euro).

Pra, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur të kompensojë trashëgimtarët dhe detyron shtetin të paguajë 292 milion lekë.

Pjesë e rëndësishme e këtij procesi është argumentimi që ATP ka dhënë para gjykatës përse nuk e ka kryer më parë kompensimin, pasi vlerat financiare do të kishin një faturë më të ulët për Buxhetin e Shtetit.

Pika 16 e vendimit të ATP:

“ATP, edhe pse ka patur kërkesë për këtë vlerësim financiar dhe procedurë verifikimi, nuk ka kryer vlerësimin financiar të vendimit nr. 667/1996.”

Në lidhje me këtë moment, ende pa u përcjellë çështja në gjykatë, ATP iu ka kthyer trashëgimtarëve të Sabrije Llagami se ky vlerësim nuk mund të kryhet pasi nuk arrihet të identifikohet zëri kadastral i pronës në kohën e shpronësimit.

Gjatë gjykimit, pala e paditur përsëriti një tjetër argument: shkaku pse ATP nuk kishte bërë vlerësimin financiar është fakti se trashëgimtarët e Sabrije Llagami nuk kanë hequr dorë nga e drejta e parablerjes, cituar në vendimin nr. 667/1996. Pra, është e qartë se trashëgimtarët kanë kërkuar vlerësimin financiar dhe ATP nuk e ka kryer brenda afatit 3-vjeçar.

Kjo tregon se prona dhe godina që iu dha Carlo Bollinos, në fakt duhej t’u kthehej ish-pronarëve, duke shmangur një dëm financiar prej 2.9 milion euro për shtetin dhe taksapaguesit shqiptarë.

Me procedurën e nisur nga ATP për kthim dhe kompensim prone dhe procesin gjyqësor, procedura e Anila Denajt dhe qeverisë së Edi Ramës për t’ia dhënë pronën Belind Ballukut është bazuar mbi falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit.

Më 20.06.2019, me shkresën nr. 10919/1 prot., Ministria e Financave dhe Ekonomisë i drejtohet Ndërmarrjes Industriale Nr. 1 me lëndë:

“Dërgohet për shqyrtim kërkesa nr. 134 datë 06.06.2019… Sa më sipër, Ndërmarrja Industriale Nr. 1, si njësia që ka në varësi administrative pronën shtetërore, përgatit dokumentacionin:

dh) Konfirmimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pronësinë shtetërore të objektit dhe truallit, si dhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vendimet që mund të ketë dhënë për njohje ose kthim prone.

Gjithashtu, kërkojmë të konfirmoni nëse ka kërkesa nga ish-pronarët e truallit, me vendime të ndryshme të komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, që konsistojnë në njohjen, kthimin apo të drejtën e parablerjes mbi pasurinë e sipërcituar.

Nëse mbi pasurinë e sipërcituar ka filluar ndonjë procedurë privatizimi ose mund të jetë dhënë me privatizim.”

Pra, Ministrja Denaj ishte e qartë se nuk mund të vazhdohej procedura e qiradhënies me Carlo Bollinon nëse mbi atë pronë kishte vendim për kthim, kompensim dhe të drejtën e parablerjes.

Në praktikën e dërguar Deputetit Flamur Noka për këtë procedurë, mungonte vetëm përgjigjia e ATP me shkresën nr. 6396/1, datë 11.06.2019. Të gjitha këto do të verifikohen nga SPAK, e cila ka mbi dy vite që nuk ka vepruar mbi kallëzimin e Partisë Demokratike. I takon Prokurorit Sotir Kllapi të hetojë nëse kjo pronë është pjesë e kontratës së qirasë për Carlo Bollinon, gjë që do të ekspozonte shkelje të rëndë ligjore.

Deri tani është e qartë: trashëgimtarët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në korrik 2020 dhe korrik 2021. Kundër vendimit nr. 2179, datë 06.07.2021, pala e paditur, Agjencia e Trajtimit të Pronave, ka ushtruar ankim. Kundër këtij vendimi, Avokatura e Shtetit ka kërkuar ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e padisë.

Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr. 82, datë 01.02.2023, ka vendosur:

“Lënien në fuqi të vendimit nr. 2179, datë 06.07.2021 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.”

Pra, brenda 18 muajsh, Gjykata Administrative e Apelit vendosi kompensimin prej 2.9 milion euro të familjarëve të Naureda Llagamit. Ky është një skandal, për të cilin deputeti Këlliçi pyeti drejtuesin aktual të KLGJ në komision parlamentar, dhe ende nuk ka asnjë përgjigje.

Sigurisht, për këtë rast nuk ka veprim as nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pasi shqiptarët presin mesatarisht 5–7 vjet për një vendim në gjykatat e Apelit. Ndërsa familjarëve të Naureda Llagamit i janë dashur vetëm 4 vite për tu shpërblyer me 2.9 milion euro.

E për më tepër, ky rast përfaqëson një dëm të dyfishtë ndaj qytetarëve shqiptarë: nga njëra anë biznesmeni italian Carlo Bollino, që bën propagandë qeveritare, mori godinën dhe milionat për të ndërtuar televizionin; nga ana tjetër, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, përfiton 2.9 milion euro për pronën që Edi Rama i dha Bollinos, në vend të kthimit tek ish-pronarët./EMISIONI PLUG

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.