E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ukrainë, Zelensky njofton takimin me Donald Trump
Bota

Ukrainë, Zelensky njofton takimin me Donald Trump

Një “vatër” e re tensioni në prapaskenën diplomatike lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është ndezur nga një postim i presidentit të vendit, Volodimir Zelensky, në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Në postimin e tij në platformën X, Zelensky deklaron se ekziston një marrëveshje për një takim me Donald Trumpin në “të ardhmen e afërt”, duke shtuar se “shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”.

“Rustem Umerov më informoi për kontaktet e tij të fundit me palën amerikane. Nuk humbim asnjë ditë. Ramë dakord për një takim në nivelin më të lartë me presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri. Lavdi Ukrainës!”,shkroi Zelensky.

Ky postim vjen vetëm pak ditë pas zbulimit nga vetë Zelensky i një plani të ri me 20 pika, për të cilin thuhet se është dakordësuar mes SHBA-së dhe Ukrainës, si dhe pas komunikimit që ai pati të enjten me të dërguarit amerikanë Stiv Uitkof dhe Xhered Kushner.

Dokumenti i paraqitur nga Zelensky parashikon ngrirjen e frontit në vijat aktuale të kontaktit, pa ofruar megjithatë një zgjidhje të menjëhershme për çështjen delikate të territoreve të pushtuara nga Rusia, të cilat përbëjnë rreth 19% të territorit të Ukrainës.

Ndryshe nga versioni fillestar, dokumenti i ri anashkalon gjithashtu kërkesa të rëndësishme të Moskës, si tërheqjen e forcave ukrainase nga zonat e Donbasit që ato ende kontrollojnë dhe angazhimin ligjor të Kievit për të mos u anëtarësuar në NATO. Për këtë arsye, konsiderohet e pamundur që Rusia të pranojë propozimin e ri.

I pyetur mbi këtë çështje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Moska “po shqyrton qëndrimin e saj” dhe refuzoi të komentojë detajet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.