Shehaj paralajmëron rrezik kombëtar nga afera Balluku-AKSHI
“Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare”
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar këtë të enjte përshkallëzimin e asaj që ai e cilëson si një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit, të lidhur me përgjimet e reja në aferën Balluku–AKSHI. Sipas tij, zhvillimet e fundit nuk janë më thjesht çështje korrupsioni, por përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik në vend.
Në deklaratën e tij, Shehaj theksoi se përgjimet e publikuara zbulojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta të kryeministrit Edi Rama në çështje që lidhen me koncesione miliardëshe, si dhe përfshirjen aktive të zv.kryeministres Belinda Balluku në negociata që, sipas tij, synojnë kapjen e shtetit përmes interesave private. Ai veçoi si rast emblemë koncesionin Thumanë–Kashar, me vlerë 1.3 miliardë euro, duke e cilësuar si shembullin më flagrant të këtij modeli qeverisjeje.
Shehaj deklaroi se, ndërsa kryeministri Rama ka zgjedhur të mos reagojë publikisht ndaj këtyre akuzave, në prapaskenë po veprojnë individë dhe grupe të lidhura me pushtetin, të cilët po përdorin kërcënime, shpifje dhe presion sistematik ndaj mediave, përfaqësuesve të opozitës dhe anëtarëve të Partisë Mundësia. Sipas tij, qëllimi është i qartë: intimidimi dhe mbyllja e çdo zëri kritik që denoncon aferat dhe përgjimet.
Pikërisht për këtë arsye, Shehaj bëri të ditur se Partia Mundësia ka kërkuar zyrtarisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai theksoi se përdorimi i strukturave kriminale për të mbrojtur korrupsionin, së bashku me presionet dhe kërcënimet ndaj aktorëve politikë dhe mediatikë, përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.
“Prej 7 ditësh kemi kërkuar publikisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas skandalit të AKSHI-t. E vërteta nuk fshihet! Nuk ka bandë e bandit që na mbyll gojën!”, deklaroi Shehaj.
Në fund të reagimit të tij, kreu i Partisë Mundësia garantoi se denoncimet publike do të vijojnë dhe se qytetarët do të informohen për çdo detaj të aferave, përgjimeve dhe lidhjeve mes pushtetit politik dhe krimit të organizuar, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve që, sipas tij, po intensifikohen çdo ditë.
Fjala e Agron Shehajt:
Vazhdojnë përgjimet.
Në një prej tyre Edi Rama i ka kërkuar Belinda Ballukut të takojë Ramë Gecin.
Në një përgjim tjetër del që Belinda Balluku i thotë Berberit shiko i thotë se Bashkim Ulajt po i bëj nderin e jetës, po i jap koncesionin Thumanë-Kashar.
Ai koncesioni për të cilin ne kemi protesuar, 1.3 miliardë euro dhe jo vetëm kaq thotë por do ta bëjmë ushtarin tonë Bashkim Ulajn. Që praktikisht do të thotë që ai pastaj do t’i shërbejë me të gjitha mundësitë që ka me mediat edhe me paratë dhe me bizneset që ka.
Por ndërkohë çfarë ndodh? Edi Rama e ka kyçur gojën por kjo s’do të thotë që Edi Rama nuk po reagon.
Po reagon, po reagojnë njerëzit afër tij, sidomos bandat. Ato që dolën me skandalin e AKSHI-t, me përgjimin e AKSHI-t.
Kishin bërë një pengmarrje kishin marrë peng një qytetar për ta detyruar atë që të dilte nga gara, të dilte nga tenderi
Dhe si reagojnë bandat tani?
Bandat kanë filluar të kërcënojnë.
Përdorin ushtarët e tyre, kanë ushtarë të shpërndarë, janë analistë, janë të veshur si aktivistë dhe kanë filluar që të kërcënojnë dhe të shpifin publikisht.
Kjo po ndodh, po ndodh përditë, po ndodh kundër përfaqësuesve të opozitës, përfaqësuesve të Partisë Mundësia dhe ndodh kundër mediave, janë ushtarët e bandave që me urdhër të bandave dhe për llogari të Edi Ramës luftojnë përditë që ajo që ka ndodhur, skandalet që kanë dalë me AKSHI-n, me Belinda Ballukun apo skandale të tjera njerëzit mos t’i marrin vesh, që mos të flitet më. Duan që të mbyllin gojën por nuk kanë për t’ja dalë.
Ne do vazhdojmë të denoncojmë, do vazhdojmë t’ju themi shqiptarëve të vërtetën, se si Edi Rama, Belinda Balluku bashkë me banditët e tyre po vazhdojnë të rrjepin shqiptarët.
Mos harroni, ata që SPAK-u i do në burg, i do në arrest, Edi Rama po i mban në detyrë.
Vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.
Drejtoresha e AKSHI-t, vetë Belinda Balluku dhe shumë të tjerë më radhë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



