8 autobusë u shkrumbuan nga flakët në Durrës, policia zbardh detajet
Një zjarr i madh ka përfshirë një park autobusësh në Fllakë të Durrësit, ku u dogjën 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit. Ngjarja, e ndodhur një ditë më parë, është trajtuar nga autoritetet si aksidentale.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Durrësit bëri me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariatit lokal referuan materialet në Prokurori, duke e cilësuar ngjarjen si aksidentale.
Policia theksoi se nuk ka indicie për veprim të qëllimshëm dhe se hetimet do të vazhdojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e zjarrit.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me zjarrin në parkun e autobusëve, ku u dogjën 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori si ngjarje aksidentale, pasi nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



