Vijon kolapsi në E-Albania, bizneset paralajmërojnë protesta
“Po përpiqemi të futemi në sistem, por kodi nuk vjen. Kemi mbi 10–15 minuta që tentojmë pa sukses”, shprehet Etleva Treska, duke përshkruar vështirësitë e përditshme me të cilat po përballen profesionistët për shkak të mosfunksionimit të platformave shtetërore online.
Problemet me regjistrimin e shoqërive të reja në Qendrën Kombëtare të Biznesit, funksionimi i pjesshëm apo bllokimi total i sistemit SelfCare, si edhe ndërprerjet në disa sisteme të ndërlidhura përmes AKSHI-t, kanë paralizuar aktivitetin e shumë bizneseve, pikërisht në ditët më të ngarkuara të fundvitit. Për pasojë, dhjetëra procedura kanë mbetur pezull, ndërsa edhe qytetarët po hasin vështirësi serioze për pajisjen me dokumentacion, pasi shërbimet kryhen vetëm online.
Sipas Treskës, situata prek jo vetëm bizneset, por edhe individët, përfshirë emigrantët që tentojnë të rinovojnë dokumentet e tyre. Ajo thekson se pamundësia për t’u loguar në sistem po i penalizon rëndë bizneset, të cilat janë të detyruara të përmbyllin vitin financiar brenda 31 dhjetorit dhe, me hyrjen e janarit, të përballen me detyrime të reja tatimore dhe vendore.
“Jemi gjithë ditën duke punuar, por pa asnjë rezultat. Faqja nuk reagon fare, ndërkohë që afatet ligjore nuk shtyhen dhe barra bie padrejtësisht mbi bizneset”, shprehet ajo.
Ky problem nuk kufizohet vetëm te kontabilistët. Edhe ekonomistë, noterë, juristë e avokatë raportojnë vështirësi të mëdha në ushtrimin e profesionit të tyre për shkak të mosfunksionimit të shërbimeve elektronike.
Avokati Franc Nuri tregon se ka pasur raste konkrete, përfshirë bashkëpunime me biznese të huaja, ku procedurat e regjistrimit kanë qenë të pamundura për t’u kryer. “Prej 4–5 ditësh nuk arrijmë të logohemi apo të kryejmë asnjë veprim. Sistemi është praktikisht jashtë funksioni”, shprehet ai.
Në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, i vetmi reagim zyrtar që profesionistët marrin është një njoftim standard në platformën e-Albania, ku thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po kryen punime mirëmbajtjeje dhe përmirësimi, çka mund të sjellë ndërprerje apo ngadalësime të përkohshme në shërbimet online.
Përballë kësaj situate, profesionistët e lirë paralajmërojnë se do të ndërmarrin protesta nëse portali qeveritar e-Albania nuk rikthehet plotësisht funksional përpara vitit 2026.
“Nuk kam gjetur asnjë zgjidhje, edhe kur jam drejtuar pranë zyrave fizike të QKB-së. Ajo që kërkojmë është një alternativë funksionale, sepse kështu nuk mund të vazhdohet”, përfundon Treska.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



