E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Viti 2025, bilanci i frikshëm i krimit: 39 vrasje në Shqipëri
Lajme

Viti 2025, bilanci i frikshëm i krimit: 39 vrasje në Shqipëri

8 ende pa autorë

Viti 2025 u shënua nga një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që tronditën opinionin publik dhe vunë në provë rendin dhe sigurinë në vend. Gjatë periudhës 1 janar – 30 nëntor 2025, në territorin e Shqipërisë janë regjistruar gjithsej 39 vrasje, ndërsa 8 prej tyre mbeten ende të pazbardhura, kryesisht në zonat e Shkodrës dhe Lezhës.

Ngjarjet kriminale të këtij viti kanë përfshirë atentate mafioze, konflikte për gjakmarrje, sherrë banale me pasoja fatale, krime brenda familjes, si dhe vrasje që kanë tronditur vetë sistemin e drejtësisë. Më poshtë, një pasqyrë e rasteve më të bujshme të vitit që po lëmë pas.

Janar – shkurt: fillim i përgjakshëm i vitit

Më 6 janar 2025, Ramzan Mataj u gjet i vrarë brenda makinës së tij në Dragoç të Shkodrës. Për krimin u arrestuan Arjon dhe Klisman Hasaj.
Më 12 janar, në Tiranë u vra biznesmeni Bujar Nasufi, për të cilin u arrestuan vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani, të dyshuar si organizatorë dhe financues të krimit.
Një ditë më pas, më 13 janar, u vra në Vlorë Kristian Marku, personazh i përfshirë në konfliktet e përgjakshme mes fiseve në Rrëshen.
Më 24 janar, në Tiranë u vra Lulzim Visha; autori Eduart Lami u arrestua.
Më 27 shkurt, Shkodra u trondit sërish nga vrasja e Pavlin Prekës, për të cilën u arrestuan Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj.

Pranverë–verë: hakmarrje, gjakmarrje dhe atentate

Më 17 prill, Gjovalin Prendi u vra në Lezhë; rasti mbetet ende pa autor, me dyshime për hakmarrje.
Më 1 qershor, në Lezhë u vra Pjetër Kaza, krim i lidhur me një hasmëri që daton nga viti 1994.
Më 4 qershor, në Durrës u vra 29-vjeçari Ermir Dedja; dy persona u arrestuan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Më 4 gusht, Frrok Lleshaj u vra në Vau të Dejës, një tjetër krim i dyshuar për gjakmarrje, i cili mbetet i pazbardhur.
Më 14 gusht, u vra 14-vjeçari Erald Xhejo, i goditur me thikë nga një bashkëmoshatar pas një sherri banal.
Më 28 gusht, Pirro Prroni u vra në Abat të Postribës; autori u dorëzua në polici.

Shtator: përshkallëzim i dhunës

Më 4 shtator, Kristian Kola u vra në Shkodër pas një sulmi me armë.
Më 8 shtator, një atentat në një lokal pranë Shkodrës la të vrarë Armando Palin dhe Liridon Krajën (alias Lusha); autori Ragip Gila u arrestua.
Më 18 shtator, Mirel Çokaj u gjet i pajetë në një humnerë; familjarët dyshojnë për vrasje të lidhur me parcelat e kanabisit.

Tetor: vrasja e gjyqtarit, kulmi i krimit

Ngjarja më tronditëse e vitit ndodhi më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë gjatë një seance gjyqësore. Autori, Elvis Shkambi, e qëlloi për vdekje për motive pronësie, duke plagosur edhe dy persona të tjerë. Ngjarja shkaktoi tronditje të thellë në sistemin e drejtësisë dhe reagime në nivelin më të lartë shtetëror.

Më 22 tetor, pas një sherri banal për një kafe, u vranë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti në Manzë.
Më 28 tetor, disa krime u regjistruan brenda një dite: u vra Keli Hoxha pas një konflikti për një kalë; Filip Shehu vrau kuzhinierin Indrit Ismaillari; ndërsa Marjan Kodheli vrau babanë e tij në banesë.

Nëntor: atentate dhe dhunë mes të miturve

Më 11 nëntor, pranë Rinasit, u vra Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP-së Muçi Shaliani.
Më 26 nëntor, 15-vjeçari Erion Boba ndërroi jetë pas plagosjes në një sherr mes adoleshentësh që nisi në TikTok.
Më 30 nëntor, Mondi Mëhall u vra brenda makinës së tij në ambientet e biznesit në Elbasan; për krimin u arrestuan disa persona.

Bilanci

39 vrasje në 11 muaj, 8 prej tyre ende pa autorë, dhjetëra familje të shkatërruara dhe një ndjenjë e thellë pasigurie. Viti 2025 mbyllet si një nga vitet më të errëta për rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi parandalimin e krimit dhe funksionimin e drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.