Kreu SPAK Klodian Braho, festoi me ‘gotë’ me vete, tek lokali i Ram Gecit
“Edhe kur shkojmë në një lokal, kontrollojmë në QKB se kush është pronari.” Kështu u shpreh Klodian Braho, vetëm pak minuta para se të zgjidhej nga anëtarët e KLP-së në krye të SPAK-ut, më 11 dhjetor 2025, kur u pyet për jetën private jashtë orarit të punës. Madhe Klodian Braho kishte marrë dhe gotën e ujit me vete.
Por, mesa duket, kjo deklaratë mbeti pjesë e retorikës së ditës së zgjedhjes. Pa u mbushur as dy javë në krye të institucionit, Braho, ose të paktën institucioni që ai drejton, nuk e pa të arsyeshme të verifikonte restorantin (te ish-15 katëshi) ku u “çlodhën” në festën e fundvitit prokurorët e SPAK-ut dhe agjentët e BKH-së.
Bëhet fjalë për festën e organizuar nga SPAK më 23 dhjetor 2025, për mbylljen “me suksese” të vitit, e cila u zhvillua pikërisht në restorantin në pronësi të kompanive të biznesmenit Ramë Geci, i cilësuar nga zëra të ndryshëm publikë edhe si oligark. Në këtë festë morën pjesë të gjithë oficerët e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut, përfshirë edhe prokurorin Dritan Premçi.
Ironia qëndron në faktin se kompania e Ramë Gecit ka përfituar një tender me vlerë rreth 12–13 milionë euro, për të cilin SPAK ka ngritur dyshime se është i paracaktuar. Burimet e “MaShqip” konfirmuan se pikërisht prokurori Premçi ka depozituar në Kuvend, më 16 dhjetor 2025, kërkesën për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e dyshuar për përfshirje në këtë procedurë.
Sipas relacionit të firmosur nga Premçi, rezulton se më 24 gusht 2021 ministrja e Infrastrukturës tashmë e pandehur, Belinda Balluku i dërgon një mesazh vartësit të saj, tashmë të arrestuar, Ervis Berberi, ku e informon se “kryeministri (Edi Rama) më kërkoi të takoj Rame Gecin”, duke shtuar se “do e çojmë në PR (Porto Romano)”. Në të njëjtën bisedë, Balluku e pyet Berberin për vlerën e tenderit, ndërsa ky i fundit përgjigjet se shuma është 12 milionë euro.
Dy muaj pas kësaj bisede, më 22 nëntor 2021, kompania e Ramë Gecit shpallet fituese për ndërtimin e rrugës Porto Romano (PR) – Durrës, me vlerë 12 milionë euro. Për këtë tender, SPAK-u, pretendon se ka qenë i paracaktuar dhe çështja është nën hetim.
Megjithatë, ky hetim nuk duket se e ka penguar drejtuesin e ri të SPAK-ut që festa e fundvitit të organizohej pikërisht në ambientet e biznesmenit që ndodhet në qendër të këtij hetimi, ku prokurorët, përfshirë edhe atë që po heton dosjen, Premçi, festuan mbylljen e vitit.
Në këtë këndvështrim, deklarata e Brahos në ditën e zgjedhjes së tij, se “këtë punë e kemi zgjedhur vetë dhe nuk na ka sjellë njeri me dhunë në SPAK”, duket se nuk shoqërohet me aq kufizime në jetën personale sa u pretendua gjatë asaj dite. Të paktën jo kur vjen puna te zgjedhja e lokalit për festën e mbylljes me suksesë të punës së institucionit!Mashqip
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






