Tirana “metropol europian” që lundron në ujëra të zeza!
Premtimet e Rilindjes, impianti i braktisur i Kasharit dhe kostoja e heshtur për 800 mijë qytetarë
Tirana është sot kryeqyteti më i madh në Ballkanin Perëndimor pa asnjë impiant funksional për trajtimin e ujërave të ndotura. Një qytet me rreth 800 mijë banorë, që sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, vazhdon të derdhë çdo ditë ujërat urbane të patrajtuara drejtpërdrejt në Lumin e Tiranës dhe në Lanë, duke i shndërruar këta lumenj në kanale primitive të ujërave të zeza.
Ky realitet i rëndë dokumentohet qartë në një auditim të Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili konstaton se, pavarësisht kuadrit ligjor të qartë për trajtimin e ujërave të ndotura, praktika në kryeqytet është në kundërshtim të plotë me ligjin.
Ligji ekziston, zbatimi jo
Sipas ligjit “Për trajtimin e ujërave të ndotura”, procesi mjedisor synon:
• trajtimin e ujërave në fazë të hershme,
• kufizimin e përhapjes së ndotjes,
• trajtimin sa më pranë burimit,
• dhe parandalimin e dëmeve mjedisore dhe shëndetësore.
Por në Tiranë, asnjë nga këto parime nuk zbatohet. Auditimi i KLSH-së thekson se ujërat urbane të kryeqytetit vazhdojnë të derdhen pa asnjë trajtim, duke e renditur basenin Ishëm–Erzen ndër zonat më të ndotura të Shqipërisë.
Projekti i Kasharit: nga “zgjidhje strategjike” në barrë financiare
Ironikisht, Tirana do të kishte sot një impiant trajtimi të ujërave të ndotura. Impianti i Kasharit (ITUN Kashar) ishte planifikuar si projekti kyç për zgjidhjen e problemit, i financuar me hua nga qeveria japoneze, dhe i konceptuar për:
• trajtim sekondar për 350,000 banorë ekuivalentë në fazën e parë,
• trajtim terciar për 681,680 banorë ekuivalentë në fazën finale.
Por projekti u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga shteti shqiptar, në një moment kur kompania zbatuese kishte realizuar 68% të punimeve, me një vlerë rreth 56 milionë euro.
Çështja përfundoi në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC-së në Londër, ku shteti shqiptar u shpall fajtor për shkelje kontrate. Vendimi i arbitrazhit ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKUK me:
• rreth 13.5 milionë euro dëmshpërblim,
• plus interesa vjetore prej 3% mbi principalin.
Sipas auditimit të KLSH-së, deri më 30 prill 2025, ky vendim ende nuk ishte njohur nga Gjykata e Apelit, çka do të thotë se kostoja financiare për buxhetin publik vazhdon të rritet, ndërsa impianti mbetet i papërfunduar dhe i papërdorshëm.
Lumi e Tiranës: alarm mjedisor i përsëritur prej vitesh
Raportet e Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) për vitet 2015–2016 janë alarmante:
• baseni Ishëm–Erzen klasifikohet në kategorinë V (shumë e keqe),
• nivele ekstreme të amoniakut (NH₄), nitriteve, fosforit dhe nevojës kimike për oksigjen,
• tejkalime shumëfish të normave të lejuara.
Në stacionin e Lanës pranë ish-doganës, vlerat e NKO-së arrijnë deri në 138 mg/l, ndërsa në lumin e Tiranës, në zonën e Kamzës, 52 mg/l, shifra që tregojnë qartë ndotje masive nga ujërat e zeza urbane dhe industriale.
Ekspertët e mjedisit janë unanimë: Lumi i Tiranës nuk është më lumë, por një kanal shkarkimi.
Premtimet e Rilindjes dhe realiteti në terren
Në kontrast të fortë me këtë realitet, kryebashkiaku Erion Veliaj ka përsëritur ndër vite premtime për zgjidhjen e problemit. Nga Çikago, Veliaj deklaroi se po përgatitet një projekt me qeverinë japoneze për ndërtimin e kolektorëve që do të shmangnin derdhjen e ujërave të zeza në Lanë.
Premtimi ishte i qartë:
“Brenda 5 viteve nuk do të kemi më ujëra të zeza që derdhen në Lanë.”
Por faktet flasin ndryshe.
• Tirana nuk ka impiant funksional.
• Projekti i Kasharit është i braktisur dhe në arbitrazh.
• Ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen çdo ditë.
Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur me kulla, beton dhe projekte fasadash urbane, ndërsa infrastruktura bazë mjedisore është lënë në harresë.
Çmimi i heshtur i propagandës urbane
Pas një dekade “Rilindje”, Tirana mbetet një qytet:
• pa trajtim të ujërave të ndotura,
• me lumenj të vdekur ekologjikisht,
• me projekte strategjike të shkatërruara nga vendime të gabuara politike,
• dhe me miliona euro kosto shtesë për taksapaguesit, pa asnjë përfitim real.
Në fund, dështimi i impiantit të Kasharit dhe ndotja kronike e Lanës nuk janë thjesht probleme mjedisore. Janë simbol i një modeli qeverisjeje, ku propaganda ecën përpara, ndërsa infrastruktura bazë dhe shëndeti publik mbeten peng i premtimeve të pambajtura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





