Vuçiç tronditet nga aleanca Shqipëri-Kosovë-Kroaci
“Ligji i të fortit sundon sot botën”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbledhur me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas sulmit amerikan në Venezuelë, duke kritikuar ashpër kapjen e aleatit të tij, Nicolas Maduro. Vuçiç deklaroi se ngjarja tregon qartë se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë më.
Duke folur për mediat të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit, Vuçiç tha se në botën e sotme ka mbetur vetëm “ligji i forcës”.
“Në botë sot mbizotëron ligji i të fortit. Ky është parimi i vetëm që udhëheq politikën bashkëkohore”, u shpreh ai.
Presidenti serb theksoi se Serbia synon marrëdhënie miqësore me Shtetet e Bashkuara, por sipas tij, Beogradi ka detyrimin të reagojë kur, siç tha, shkelet e drejta ndërkombëtare.
Në vijim, Vuçiç shprehu shqetësim të veçantë për bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, marrëveshje e nënshkruar në vitin 2025, të cilën e cilësoi si kërcënim për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për armatosjen e mëtejshme të Prishtinës dhe për aleancën e saj me Kroacinë dhe Shqipërinë. Ata po planifikojnë sisteme gjithnjë e më komplekse. Serbia jo vetëm që po e ndjek me kujdes këtë zhvillim, por edhe po përgatitet për t’u mbrojtur. Forca jonë do të jetë pengesë e mjaftueshme për këdo që kërcënon vendin tonë. Qëllimi ynë kryesor mbetet ruajtja e paqes”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, askush nga rajoni nuk do t’i vinte në ndihmë Serbisë në rast konflikti.
Sipas Vuçiçit, armatosja e Kosovës është e paligjshme dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai pretendoi se kjo rezolutë është pezulluar de facto nga fuqitë perëndimore dhe disa aktorë rajonalë, përfshirë Turqinë.
Presidenti serb bëri të ditur se Këshilli i Sigurisë ka diskutuar masa konkrete për forcimin e njësive speciale, rritjen e kapaciteteve ushtarake, investime shtesë në industrinë e mbrojtjes, si dhe rritjen e rezervave strategjike të ushqimit, ujit dhe municioneve.
Sipas tij, brenda një periudhe prej rreth një viti e gjysmë, Serbia synon të dyfishojë kapacitetet ushtarake, ndërsa kapacitetet njerëzore të rriten me rreth 30 për qind.
“Një pjesë e madhe e armatimit prodhohet në vend, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga jashtë. Ky është mekanizmi i vetëm real për mbrojtjen e shtetit dhe faktori kryesor parandalues”, u shpreh Vuçiç.
Në përfundim, ai theksoi se një nga konkluzionet kryesore të mbledhjes ishte nevoja që Serbia të mbështetet kryesisht te vetja.
“Nëse dikush nga rajoni do të ndërmarrë veprime kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë përveç vetes sonë. As SHBA-të dhe as fuqitë e mëdha nuk do të na sulmojnë, por në këtë botë të paqëndrueshme gjithçka mund të ndryshojë brenda natës. Prandaj duhet të jemi të përgatitur”, përfundoi Vuçiç.
Raportet Serbi–Venezuelë
Autoritetet serbe vijojnë të mbajnë marrëdhënie të ngushta me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, pavarësisht që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë vënë në dyshim legjitimitetin e tij për shkak të parregullsive zgjedhore.
Kontakti i fundit publik mes Vuçiçit dhe Maduros daton më 21 gusht 2025, kur ata zhvilluan një bisedë telefonike. Në një postim në Instagram, Vuçiç e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe theksoi se diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Një nga arsyet kryesore të afrimit mes dy vendeve, sipas zyrtarëve serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në ceremoninë e inaugurimit të Maduros si president, në janar të vitit të kaluar, mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, veprim që nxiti kritika nga Brukseli.
Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend të Amerikës Latine, i cili kufizohet me Kolumbinë, Brazilin dhe Guajanën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



