FOTO/ Plagoset në kokë Adriatik Lapaj gjatë ndërhyrjes së policisë
Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është plagosur në kokë mbrëmjen e së dielës, 4 janar, gjatë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit për shpërndarjen e protestës që zhvillohej prej rreth një muaji përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas informacioneve paraprake, Lapaj dyshohet se ka pësuar dëmtime në kokë gjatë përplasjes me forcat e rendit, ku shkak i plagosjes mendohet të ketë qenë një bombol gazi e përdorur gjatë ndërhyrjes policore.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se policia ka ndërhyrë duke larguar me mjete të posaçme një pjesë të pajisjeve dhe objekteve që protestuesit kishin përdorur gjatë qëndrimit të tyre të përhershëm përpara Kryeministrisë.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, e cila e ka transportuar Adriatik Lapajn drejt Spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore të specializuar.
Protesta e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka nisur më 8 dhjetor dhe është zhvilluar pa ndërprerje përpara Kryeministrisë. Gjatë pasdites së djeshme janë shënuar përplasje mes aktivistëve dhe efektivëve të policisë, të cilët ndërhynë për të larguar me forcë çadrat dhe mjetet ngrohëse të vendosura nga protestuesit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



