Trump nuk përjashton mundësinë e përdorimit të ushtrisë në Groenlandë
‘Tërbohet’ Europa, nis krisja mes Perëndimit
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti amerikan Donald Trump ka shqyrtuar “një gamë të gjerë opsionesh” lidhur me mundësinë e marrjes së Groenlandës, përfshirë edhe skenarin e përdorimit të forcës ushtarake amerikane.
Në një reagim për BBC-në, administrata amerikane theksoi se Trump e konsideron blerjen e Groenlandës si një çështje me rëndësi të lartë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Sipas deklaratës, presidenti dhe ekipi i tij po analizojnë alternativa të ndryshme për të avancuar këtë objektiv të politikës së jashtme, duke nënvizuar se ushtria mbetet gjithmonë një mjet në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm.
Ky qëndrim vjen vetëm pak ditë pasi Trump ritheksoi publikisht se SHBA-të “kanë nevojë” për Groenlandën, duke argumentuar se kontrolli i ishullit është thelbësor për interesat strategjike dhe të sigurisë së vendit. Groenlanda është një territor gjysmë-autonom nën sovranitetin e Danimarkës, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s.
Reagimet nga Evropa nuk kanë munguar. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se çdo veprim ushtarak nga ana e SHBA-ve do të përbënte një goditje fatale për vetë Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në pikëpyetje themelet e NATO-s.
Ndërkohë, disa nga fuqitë kryesore evropiane dolën me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Danimarkës dhe Groenlandës, duke theksuar se e ardhmja e ishullit i përket ekskluzivisht popullit të tij. Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Britania e Madhe dhe Danimarka nënvizuan se vetëm Kopenhaga dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për çështjet që lidhen me territorin arktik.
Udhëheqësit evropianë theksuan gjithashtu se siguria në Arktik duhet të garantohet përmes bashkëpunimit kolektiv brenda NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ata rikujtuan se aleanca ka shpallur prej kohësh Arktikun si zonë prioritare dhe se vendet evropiane kanë rritur ndjeshëm praninë, aktivitetet dhe investimet në rajon për të garantuar stabilitetin dhe për të frenuar kërcënimet e mundshme.
Groenlanda shihet si një pikë kyçe gjeostrategjike për shkak të pozicionit të saj midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke luajtur rol të rëndësishëm në sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike. Po ashtu, pasuritë e saj të konsiderueshme minerale përputhen me përpjekjet e Uashingtonit për të ulur varësinë nga lëndët e para që aktualisht importohen nga Kina.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



