A do ta hetojë SPAK kryetarin Albert Malaj si pjesë e grupeve kriminale?
Krimi i ulur këmbëkryq në Bashkinë Memaliaj
Avokati Arben Llangozi ka publikuar një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku ngre akuza serioze për mënyrën e funksionimit të Bashkisë Memaliaj, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme me persona me precedentë penalë.
Në postimin e tij në Facebook, Llangozi shprehet se institucioni vendor në Memaliaj, në vend që të shërbejë interesin publik, sipas tij, është kthyer në një strukturë të kapur nga krimi i organizuar. Ai vendos theksin te përgjegjësia e drejtpërdrejtë e kryetarit të bashkisë, Albert Malaj, për emërimet dhe vendimmarrjet brenda institucionit.
Sipas avokatit, rasti më problematik lidhet me emërimin e Besnik Caushit në postin e drejtorit të financave. Llangozi kujton se Caushi është dënuar me vendim penal nga Gjykata e Gjirokastrës, me vendimin nr. 772, datë 19.04.2021, me 5 vite burg për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”, dënim i cili është pezulluar me kusht, por që mbetet i regjistruar ligjërisht.
Pavarësisht këtij precedenti, Caushi është emëruar në krye të financave të Bashkisë Memaliaj, duke pasur nën kontroll buxhetin, tenderat dhe pagesat publike. Sipas Llangozit, ky vendim nuk mund të konsiderohet rastësor dhe mban firmën e kryebashkiakut Albert Malaj.
Në reagimin e tij, avokati ngre pikëpyetje mbi arsyet e këtij emërimi dhe interesat që mund të fshihen pas tij, duke shtuar se, sipas tij, ekziston dyshimi që kjo lëvizje është bërë për të kontrolluar fondet publike dhe procedurat e prokurimit.
Llangozi thekson gjithashtu se, ndërkohë që qytetarëve u kërkohet të respektojnë ligjin dhe të paguajnë taksat, administrimi i parave publike, sipas tij, është vënë në duar të personave me precedentë penalë.
Në fund të reagimit, avokati ngre pyetjen nëse SPAK do të reagojë për këtë rast dhe nëse do të nisë një hetim për kryebashkiakun Albert Malaj, për përgjegjësi institucionale dhe lidhje të mundshme me grupe kriminale.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia Memaliaj apo nga institucionet e drejtësisë lidhur me akuzat e ngritura.
Reagimi i plotë:
Krimi nuk troket më në dyert e institucioneve. Në Memaliaj, ai është futur brenda, është ulur këmbëkryq dhe administron paratë e qytetarëve. Bashkia Memaliaj, në vend që të jetë institucion publik në shërbim të ligjit dhe interesit qytetar, sipas fakteve dhe rrethanave të bëra publike, duket se funksionon si një strukturë e kapur nga grupet kriminale.
Në qendër të këtij skandali qëndron kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, i cili mban përgjegjësinë politike, administrative dhe morale për çdo emërim dhe vendim që merret brenda institucionit që drejton. Dhe rasti më flagrant është ai i drejtorit të financave, Besnik Caushi.
Besnik Caushi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Me vendimin nr. 772, datë 19.04.2021, Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar atë me 5 vite burgim për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim. Dënimi është pezulluar me kusht, por vendimi penal ekziston dhe është fakt publik.
Pavarësisht këtij dënimi, Caushi është emëruar drejtor i financave të Bashkisë Memaliaj, pra njeriu që kontrollon buxhetin, tenderat, pagesat dhe qarkullimin e parave publike. Ky emërim nuk është rastësi dhe as gabim teknik. Ai mban firmën dhe vullnetin e kryetarit Albert Malaj.
Dhe këtu lind dyshimi i madh që kërkon përgjigje nga organet e drejtësisë:Pse një person i dënuar për trafik droge vendoset në krye të financave publike? Kujt i shërben ky emërim? Qytetarëve apo interesave kriminale?
Sipas provave , ky emërim dyshohet se është bërë për të garantuar kontrollin e tenderave dhe fondeve të bashkisë, duke e kthyer drejtorinë e financave në një pikë kyçe për kanalizimin e parave publike në duar të caktuara të krimit të organizuar. Nëse këto dyshime provohen, atëherë nuk kemi më thjesht shkelje administrative, por bashkëpunim të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar.
Ironia është është se qytetarëve të Memaliajt u kërkohet të paguajnë taksa, të respektojnë ligjin dhe të durojnë mungesën e shërbimeve, ndërsa paratë e tyre administrohen nga krimi. Në këtë bashki duket se rekordi kriminal nuk është pengesë, por avantazh për karrierë.
Pyetja nuk është më nëse ka problem në Bashkinë Memaliaj. Pyetja është:A do të reagojë SPAK?A do të hetohet kryetari Albert Malaj për lidhje të mundshme me grupe kriminale dhe për kapje të institucionit vendor?
Sepse kur një kryetar bashkie vendos njerëz të dënuar në pozicione kyçe, ai nuk mund të fshihet pas justifikimeve. Heshtja dhe mosveprimi në këtë rast janë bashkëfajësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco







