Berisha: Rama nuk do që t’i kompensojë qytetarët e përmbytur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë se po shmang me qëllim shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të mos kompensuar dëmet e qytetarëve.
Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha deklaroi se përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura kanë marrë përmasa dramatike në të gjithë territorin, ndërsa qeveria, sipas tij, po tregohet e pandjeshme përballë një emergjence që rrezikon jetën dhe pronën e mijëra familjeve.
Ai theksoi se mijëra banesa dhe biznese ndodhen nën ujë, ndërkohë që dhjetëra mijëra qytetarë po përballen me dëme të rënda materiale, pa asnjë mbështetje reale nga shteti.
“Në një situatë ku janë përmbushur të gjitha kriteret për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, qeveria refuzon ta bëjë këtë hap, sepse një vendim i tillë do ta detyronte të mobilizojë të gjitha burimet dhe të dëmshpërblejë qytetarët për humbjet e pësuara”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, refuzimi për të marrë këtë vendim është një veprim i qëllimshëm, që rëndon edhe më tej pasojat për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



