E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokati i Ergys Agasit: Vetëm i çmendur do të paraqitej në SPAK
Lajme

Avokati i Ergys Agasit: Vetëm i çmendur do të paraqitej në SPAK

Avokati Maks Haxhiaj ka mohuar në mënyrë kategorike çdo përfshirje të klientit të tij, Ergys Agasit, në procedurat tenderuese të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe pa asnjë mbështetje provash.

Sipas Haxhiajt, hetimi ndaj Agasit është absurd, pasi ai nuk ka ushtruar asnjë funksion publik dhe nuk ka pasur kurrë pushtet vendimmarrës që mund ta lidhë me shkelje të barazisë në tendera apo me pengimin e pjesëmarrjes së subjekteve të tjera ekonomike. Avokati theksoi se klienti i tij nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me proceset e zhvilluara nga AKSHI.

Duke folur për situatën aktuale, Haxhiaj deklaroi se, sipas informacioneve që ka marrë nga familjarët, Ergys Agasi nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri. Ai shtoi se, në kushtet e krijuara, paraqitja e tij pranë organeve të drejtësisë do të ishte e pakuptimtë, pasi ngritja e akuzave të rënda pa prova konkrete rrezikon t’i mohojë atij ushtrimin efektiv të të drejtave kushtetuese dhe proceduriale.

“Zoti Agasi, sipas informacioneve që kam edhe nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri. Ai i ka përfunduar angazhimet e tij, por në këtë situatë vetëm një person që do që t’i ‘hidhet çelësi në det’ do të vinte për t’u paraqitur para drejtësisë. Kjo gjendje, e krijuar qëllimisht përmes ngritjes së akuzave të rënda, bën që zbatimi i masës së sigurisë t’i heqë çdo mundësi reale komunikimi me drejtësinë në përputhje me të drejtat e tij kushtetuese dhe proceduriale. Megjithatë, vendimi për të ardhur apo jo mbetet i tij. Por në kushtet kur nuk ekziston asnjë informacion apo provë për akuzat, vetëm po të jetë i çmendur që të vijë”, u shpreh Haxhiaj.

Ai nënvizoi gjithashtu se po i atribuohen vepra penale një personi që nuk ka pasur asnjë rol institucional. Sipas tij, Ergys Agasi ka përfunduar çdo angazhim të mëparshëm dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore lidhur me tenderat e AKSHI-së.

“Në momentin që nuk ka asnjë provë materiale për akuzat e ngritura, vetëm dikush që nuk i vlerëson pasojat do të paraqitej. Aktualisht nuk kam komunikim të drejtpërdrejtë me z. Agasi, por vetëm me familjarët e tij”, përfundoi avokati.

Ergys Agasi ndodhet nën hetim nga SPAK për çështjen e tenderave të zhvilluar nga AKSHI dhe ndaj tij është vendosur një masë sigurie në mungesë.

Në kuadër të të njëjtit hetim, shefja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, janë lënë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërkohë, tre biznesmenë janë vënë nën masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, ndërsa një oficer policie vijon të jetë i pezulluar nga detyra.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.