EMRAT/ Arratisja e Altin Ndocit, 8 persona përfundojnë në pranga
Tetë persona janë arrestuar nga autoritetet pas arratisjes së Altin Ndocit nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme dhe që ka vënë në alarm strukturat ligjzbatuese.
Mes të arrestuarve janë zyrtarë të lartë të strukturave shëndetësore dhe policore, përfshirë kryeinfermierin e spitalit dhe zëvendësshefin e komanduar të policisë.
Emrat e personave të arrestuar:
-
Aulon Çuko – Kryeinfermier
-
Desdemon Pazaj – Zëvendësshef i komanduar i policisë
-
Dorjan Saraçi – punonjës policie
-
Sal Ferollari – punonjës policie
-
Preng Marvataj – punonjës policie
-
Fatjon Baçi – punonjës policie
-
Aranit Çela – punonjës policie
-
Violeta Uka
Fatjon Baçi njihet edhe si punonjësi i policisë që i dorëzoi kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dokumentin në momentin kur ky i fundit ndodhej në automjetin me të cilin po transportohej.
Si ndodhi arratisja?
Altin Ndoci, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, i pandehur në dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, u arratis të martën nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit. Ai ishte shoqëruar nga punonjës të Policisë së Burgjeve për vizita mjekësore në repartin Infektiv, për shkak të problemeve shëndetësore me veshkat.
Burimet bëjnë me dije se Ndoci, i shoqëruar nga tre punonjës policie, ka kërkuar të shkojë në tualet. Pikërisht aty ai ka goditur njërin prej tyre dhe ka arritur të largohet. Një nga policët ka qëlluar në ajër gjatë ndjekjes, por pa arritur ta neutralizojë.
Në parkimin e spitalit, Ndocin e priste një automjet Audi A7 i bardhë, me targa AA700RS, me të cilin autorët janë larguar në drejtim të zonës së Spitallës, duke humbur më pas çdo gjurmë.
Profil kriminal me rrezikshmëri të lartë
Altin Ndoci, me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK rreth gjashtë vite më parë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet si vrasës me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Ndoci dyshohet për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, një ngjarje në të cilën u implikua nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Sipas hetimeve, Ndoci ishte rekrutuar nga Talo Çela, i cili më pas u kthye në armik të Dumanit, pas përplasjes së grupeve kriminale.
SPAK e konsideron Altin Ndocin si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa kërkimet për kapjen e tij vijojnë intensivisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



