Si u arratis Altin Ndoci? Zbulohet rekomandimi që dha mjeku
Janë zbardhur detaje të reja mbi mënyrën se si Altin Ndoci arriti të arratisej nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, gjatë një vizite mjekësore të organizuar nga institucionet përkatëse. I paraburgosuri, i akuzuar për vrasje me pagesë dhe në qeli prej vitesh, vijon të jetë ende në arrati, ndërsa prokuroria ka dokumentuar hap pas hapi gjithë zinxhirin e veprimeve që çuan në largimin e tij.
Sipas dosjes hetimore, strukturat e IEVP Durrës – përfshirë shërbimin shëndetësor, policinë e burgjeve, sektorin social dhe atë ligjor – kishin planifikuar shoqërimin e Altin Ndocit dhe një tjetër të paraburgosuri për kontroll mjekësor në Spitalin Rajonal të Durrësit, me kthim brenda së njëjtës ditë. Procedura ishte miratuar nga drejtuesit përkatës, ndërsa komunikimi me spitalin ishte kryer nga kryeinfermieri Aulon Çuku.
Transporti u realizua me një mjet tip autoambulancë të IEVP Durrës, i shoqëruar nga disa punonjës të policisë së burgjeve. Fillimisht, Ndoci u dërgua drejt pavijonit të Infektivit. Gjatë rrugës, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore, duke u ankuar për dhimbje.
Pas mbërritjes në spital, i paraburgosuri u nxor nga mjeti, iu hoqën prangat dhe u shoqërua në këmbë drejt dhomës së izolimit në katin e tretë, konkretisht dhoma nr. 7, e pajisur me zgarë hekuri për mbajtjen e të paraburgosurve. Në këtë fazë, shoqërimi u bë nga disa efektivë, por më pas njëri prej tyre u largua, duke e lënë Ndocin nën ruajtjen e dy punonjësve të policisë së burgjeve.
Në dosje thuhet se mjeku kardiolog i spitalit ka rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Gjatë kohës së pritjes, Ndoci është ankuar vazhdimisht për dhimbje të forta dhe ka kërkuar disa herë të shoqërohej në tualet, kërkesa që është pranuar nga efektivët.
Arratisja ka ndodhur pikërisht gjatë një prej këtyre shoqërimeve. Në momentin që është hapur zgara metalike për ta nxjerrë nga dhoma, Altin Ndoci ka goditur me grusht një prej policëve në kraharor, duke e rrëzuar atë bashkë me kolegun tjetër. Menjëherë më pas, ai është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit.
Dy efektivët kanë tentuar ta ndjekin, por gjatë ndjekjes njëri prej tyre ka rrëshqitur në shkallë. Ndoci ka arritur të dalë nga hyrja kryesore e spitalit, ndërsa një nga punonjësit e policisë ka qëlluar një herë në tokë me armën e shërbimit për ta ndalur. Pavarësisht kësaj, i arratisuri ka mundur të largohet. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, ai është larguar me një automjet të zi me targë AA 700 RS.
Nga hetimet paraprake rezulton se procedura për përgatitjen e rekomandimit të vizitës mjekësore është kryer në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Prokuroria evidenton se vendimi për dërgimin e Ndocit në spital është marrë pa u kryer më parë një vizitë mjekësore brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, në shkelje të ligjit për trajtimin e të dënuarve dhe rregullores së përgjithshme të burgjeve.
Hetimet për përcaktimin e përgjegjësive konkrete vijojnë, ndërsa Altin Ndoci mbetet ende në kërkim nga autoritetet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



