E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arratisja e Altin Ndocit, pse u zëvendësua shefi i sigurisë në moment të fundit?
Lajme

Arratisja e Altin Ndocit, pse u zëvendësua shefi i sigurisë në moment të fundit?

Emisioni investigativ “Në Shënjestër ka zbardhur këtë të martë të dhëna të detajuara nga dosja hetimore për arratisjen e Altin Ndocit, 38-vjeçarit që më 13 janar u largua nga Spitali Rajonal i Durrësit, ndërsa ndodhej në paraburgim.

Sipas dosjes, arratisja nuk ishte një veprim spontan, por u bë e mundur si pasojë e një zinxhiri shkeljesh dhe tolerimesh nga disa struktura të IEVP Durrës, që nga sektori shëndetësor, policia e burgjeve, deri te drejtuesit e institucionit.

Hetimi evidenton se daljet e mëparshme të Altin Ndocit për vizita mjekësore nuk janë pasqyruar në dokumentacionin zyrtar të aktivitetit ditor, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje nuk është njoftuar në asnjë rast për këto lëvizje.

Më 13 janar 2026, rreth orës 08:30, kryeinfermieri i IEVP Durrës, Aulon Çuku, i ka kërkuar mjekes përgjegjëse të sektorit shëndetësor, Ylfete Sema, të përgatiste një rekomandim për katër të paraburgosur, të cilët do të dërgoheshin për ekzaminime të specializuara në Spitalin Rajonal të Durrësit. Mes tyre ishte edhe Altin Ndoci.

Dosja hetimore thekson se mjekja nuk e ka vizituar personalisht Altin Ndocin, por është mjaftuar me informacionin e dhënë nga kryeinfermieri, sipas të cilit i burgosuri ankohej për dhimbje të forta në veshka. Pa asnjë ekzaminim paraprak, ai është rekomanduar për konsultë me kirurgun, duke anashkaluar procedurat bazë shëndetësore.

Altin Ndoci ndodhej në paraburgim prej majit të vitit 2020, me masë arresti nga Gjykata e Posaçme për vrasje në rrethana cilësuese dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë, ai ishte vlerësuar nga komisioni përkatës në IEVP Durrës si “risk standard arratisjeje”.

Në dosje ndodhet edhe lista e kontrollit të treguesve të riskut, e datës 4 dhjetor 2025, e firmosur nga shefi i policisë së burgut, punonjësi social, juristi, mjeku dhe drejtori i institucionit, Indrit Cerloj, ku Altin Ndoci rezulton me risk standard. Ky vlerësim ka ulur ndjeshëm masat e sigurisë gjatë shoqërimit të tij.

Pas miratimit të kërkesës për vizitë mjekësore, dokumentacioni i është përcjellë shefit të komanduar të Policisë së Burgut, Destemon Pazaj. Megjithatë, sipas dosjes hetimore, Destemon Pazaj është zëvendësuar në momentet e fundit, pa u dhënë një shpjegim i qartë për arsyet e këtij ndryshimi kritik.

Në vend të tij, në grupin e shoqërimit janë përfshirë punonjësit Aranit Çela, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preg Marvataj dhe Fatjon Baci, me shofer Idajet Çalama. Transporti është kryer me autoambulancën e IEVP Durrës, tip Fiat, me targa AB 141 OU, duke ndjekur të njëjtin itinerar si në vajtje ashtu edhe në kthim.

Altin Ndoci ishte i pari nga të paraburgosurit që u transportua drejt Spitalit Rajonal të Durrësit. Gjatë udhëtimit ai ka vijuar të ankohet për dhimbje akute në zonën e veshkave.

Sapo ka mbërritur në ambientet e spitalit, grupi shoqërues i ka hequr prangat Altin Ndocit, pa qenë e qartë se kush e ka dhënë këtë urdhër dhe mbi çfarë baze ligjore. Ai është shoqëruar në këmbë drejt pavijonit të izolimit, në katin e tretë të spitalit.

Shoqërimi fillimisht është kryer nga tre punonjës policie, por më pas njëri prej tyre, Dorian Saraçi, është larguar për t’u bashkuar me grupin tjetër të shoqërimit dhe është kthyer në IEVP Durrës, duke e lënë Altin Ndocin nën ruajtjen e vetëm dy efektivëve: Sali Ferrollari dhe Fatjon Baci.

Ky është momenti kyç, sipas grupit hetues, kur kushtet për arratisje janë bërë optimale.

Ndoci ka vijuar të shtiret për dhimbje të forta dhe ka kërkuar disa herë të shkojë në tualet, kërkesa që i është miratuar. Në momentin që dera metalike e dhomës së izolimit është hapur, ai ka goditur me grusht në kraharor efektivin Fatjon Baci, duke e rrëzuar atë mbi kolegun e tij Sali Ferrollari.

Menjëherë pas kësaj, Altin Ndoci është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit. Dy efektivët janë përpjekur ta ndjekin, por ndjekja ka rezultuar e pasuksesshme. Njëri prej policëve ka qëlluar një herë në tokë me armën e shërbimit për ta ndalur, por Ndoci ka vijuar arratisjen.

Sipas dëshmive, pasi ka dalë nga spitali, ai është larguar në drejtim të kodrave, ku dyshohet se e ka pritur një automjet i zi me targë AA 700 RS.

Pas ngjarjes, efektivi Fatjon Baci ka deklaruar se tentoi të kontaktonte numrin e emergjencës 129, por nuk mori përgjigje, ndërsa Sali Ferrollari njoftoi strukturat drejtuese të IEVP Durrës.

Në dosje përfshihet edhe deklarata e Destemon Pazajt, i cili sqaron se ka 21 vite përvojë në sistemin e burgjeve dhe se procedurat e ndjekura për shoqërimin e Altin Ndocit kanë qenë të njëjta me rastet e mëparshme, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi arsyen e zëvendësimit të tij pikërisht ditën e arratisjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.