Arratisja e Altin Ndocit, 90 të dënuar transferohen drejt Peqinit
Arratisja e bujshme e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit më 13 janar, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë” dhe i dyshuar si vrasës me pagesë, ka ngritur prej ditësh alarmin në sistemin penitenciar dhe te strukturat e sigurisë.
Pas këtij episodi, autoritetet kanë ndërmarrë një sërë masash për rritjen e kontrollit dhe riorganizimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë në disa institucione të vuajtjes së dënimit në vend.
Mbrëmjen e sotme, nën masa të forta sigurie, është realizuar transferimi i 90 të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë drejt IEVP Peqin. Operacioni u zhvillua me përfshirjen e forcave të specializuara të rendit dhe shërbimeve penitenciare, duke u shoqëruar me eskortë të posaçme dhe protokolle të përforcuara sigurie.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se ky veprim është pjesë e një rishpërndarjeje të planifikuar të të dënuarve, me qëllim forcimin e masave të sigurisë pas ngjarjeve të fundit. Megjithatë, transferimi i menjëhershëm ka krijuar vështirësi në akomodim dhe përshtatje në institucionin pritës, duke rritur ngarkesën për strukturat e IEVP Peqin.
Autoritetet konfirmojnë se operacioni është planifikuar në detaje dhe është përmbyllur pa incidente, ndërsa po merren masa shtesë për menaxhimin e situatës dhe garantimin e standardeve ligjore të trajtimit të të dënuarve, pa cenuar rendin dhe sigurinë.
Ndërkohë, pak ditë më parë është realizuar edhe transferimi i një grupi tjetër të dënuarish me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin. Procesi i riorganizimit pritet të përfundojë ditën e nesërme, ndërsa situata në institucionet përkatëse raportohet nën kontroll.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



