Rama ‘i hedh benzinë zjarrit’, e quan politikan të lodhur ministrin grek
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas polemikave të ngritura në disa media greke dhe nga përfaqësues të politikës në Athinë, lidhur me një deklaratë të tij që u interpretua si fyese ndaj Greqisë dhe trashëgimisë së saj filozofike.
Në një reagim publik, Rama shprehet i surprizuar nga mënyra se si, sipas tij, një fjali e thënë me humor miqësor gjatë një bashkëbisedimi informal është shkëputur nga konteksti dhe është shndërruar në debat publik me tone nacionaliste.
Pas polemikave të para, ka reaguar edhe ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, i cili ka sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar me tone të ashpra.
Në një deklaratë për median greke Newsbomb, Georgiadis u shpreh se Rama, sipas tij, ka “një problem serioz psikologjik me Greqinë”.
Kreu i qeverisë sqaron se deklarata është bërë gjatë një paneli në kuadër të Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, në një atmosferë të lirshme diskutimi me gazetarin John Defterios, dhe nuk kishte asnjë qëllim tendencioz apo provokues.
Ai thekson se nuk ka asnjë dyshim mbi faktin se Platoni dhe Aristoteli janë figura themelore të filozofisë greke dhe se Greqia e Lashtë përbën bazën e qytetërimit europian. Sipas Ramës, kultura greke meriton vlerësim të veçantë jo vetëm për trashëgiminë antike, por edhe për kontributet bashkëkohore në letërsi, art, kinematografi dhe muzikë.
Rama shprehet gjithashtu se ushqen ndjenja pozitive ndaj Greqisë dhe popullit grek, të cilin e cilëson si fqinj të pazëvendësueshëm dhe vëlla të pandashëm të shqiptarëve, ndërsa për kryeministrin grek thekson respektin e tij personal.
Megjithatë, ai nënvizon se nuk mund të pranojë që çdo retorikë me ngarkesë nacionaliste të barazohet me trashëgiminë filozofike të Greqisë së Lashtë.
“Askush nuk mund të më kërkojë që kushdo që flet apo shkruan greqisht me pathos nacionalist, të më duket automatikisht si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit”, përfundon Rama, duke theksuar se debati i nxitur është i pajustifikuar dhe i fryrë artificialisht.
Reagimi i kryeministrit Rama:
Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po.
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!
Kaq.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



