Shokon Kujtim Cakrani: Ziver Veizi vidhte unaza grash!
Avokati Kujtim Cakrani ka bërë deklarata të forta dhe polemike në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit, duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj liderit të atëhershëm të opozitës, Edi Rama, si edhe ndaj njërës prej viktimave të asaj proteste.
Cakrani u shpreh se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se, sipas tij, ishte sjellë në Shqipëri me qëllim nxitjen e trazirave.
Sipas avokatit, Veizi nuk kishte jetuar prej vitesh në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare. Ai pretendoi se bëhej fjalë për një dënim për vjedhje, vendim që, sipas tij, ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës që ushtronte detyrën në Gjirokastër.
“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një 97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerëse i vidhte grave unazat. Pyseni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën. Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Cakrani në A2.
Në vijim, ai ngriti dyshime edhe mbi autorësinë e vrasjeve, duke vënë në pikëpyetje nëse viktimat u qëlluan nga Garda e Republikës apo nga struktura të tjera që, sipas tij, kishin interes politik për krijimin e viktimave.
“PS është parti që do heronj, i nxori në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani, duke theksuar se për këtë çështje duhet të ketë drejtësi.
Gjatë intervistës, avokati bëri të ditur gjithashtu se Ilir Meta ka dëshmuar për rreth një orë në SPAK, ku ka dhënë versionin e tij për zhvillimet e 21 Janarit.
“Ilir Meta ka dhënë dëshminë më të saktë për 21 Janarin, sepse ajo ngjarje u bë për të. Ai ka qenë në heshtje gjithë këto kohë. Ai është pyetur në SPAK para 1 muaji dhe ka dhënë versionin e tij. Shërbimet kanë qenë të gjitha për kryengritje dhe që do kishte viktima. Shërbimet amerikane e kanë njoftuar Ilir Metën. Ai ka bërë një letër të detajuar para ngjarjes se çfarë pritej të ndodhte”, u shpreh Cakrani.
Në fund, i ftuar në emisionin “Off The Record”, Cakrani e cilësoi si të montuar edhe videon e publikuar asokohe nga Dritan Prifti, duke deklaruar se ajo ishte pjesë e një skenari politik, i cili sipas tij çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



