Themelohet Bordi i Paqes, kush ishin “3 Musketjerët” që munguan
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur zyrtarisht në Davos krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, një nismë që, sipas tij, synon të mbledhë rreth një tryeze liderë botërorë për të frenuar konfliktet dhe për të ndërtuar një arkitekturë të re stabiliteti global.
Gjatë fjalës në Forumin Ekonomik Botëror, Trump theksoi se gjatë periudhës së tij në pushtet ka arritur të ndalojë tetë konflikte të armatosura, duke e cilësuar themelimin e Bordit si një hap historik drejt bashkëpunimit ndërkombëtar dhe diplomacisë direkte mes liderëve.
Në mbledhjen themeluese në Davos morën pjesë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, mes tyre Azerbajxhani, Argjentina, Kazakistani, Indonezia dhe Kosova, e cila u përfaqësua në nivelin më të lartë shtetëror. Nga Bashkimi Evropian, prania ishte dukshëm e kufizuar, me vetëm dy liderë: kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe atë bullgar.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe vëzhguesve ndërkombëtarë nuk ishte lista e pjesëmarrësve, por ajo e mungesave. Në mënyrë të veçantë, tre emra spikatën për mungesën e tyre: kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe kreu i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam.
Nëse mungesa e Lukashenkos shihet si pasojë e drejtpërdrejtë e izolimit ndërkombëtar të regjimit të Minskut, mungesa e Edi Ramës hap pikëpyetje serioze mbi pozicionimin real të Shqipërisë në raport me këtë nismë dhe mbi marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.
Kjo veçanërisht për faktin se vetë Rama, vetëm pak ditë më parë, e kishte promovuar me intensitet të lartë publik faktin se kishte marrë një ftesë nominale nga presidenti Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Megjithatë, në ditën e shpalljes zyrtare dhe në mbledhjen themeluese në Davos, kryeministri shqiptar rezultoi i munguar.
Kontrasti bëhet edhe më i thellë nëse merret parasysh se Kosova ishte e pranishme dhe e përfaqësuar në nivel presidencial, duke e bërë edhe më të zbehtë narrativën triumfaliste të ndërtuar në Tiranë ditët e fundit. Në vend të pranisë fizike dhe përfaqësimit në tryezën ku u hodhën themelet e nismës, Shqipëria mbeti jashtë fotos së madhe.
Një mungesë që nuk kaloi pa u vënë re dhe që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje, sidomos në një moment kur diplomacia dhe simbolika kanë peshë po aq sa ftesat formale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



