‘Shtëpi bari’ në Malësi të Madhe, ndalohen punonjësit e OSHEE-së
Një tjetër “shtëpi bari” është zbuluar në territorin e Malësisë së Madhe, duke çuar në arrestimin e një 35-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të një personi tjetër. Në kuadër të hetimeve, policia ka ndaluar edhe disa punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Operacioni policor, i koduar “Neonët 8”, u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e Forcave të Posaçme “Shqiponjat”. Ky aksion çon në 13 numrin e rasteve të goditura deri më tani në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.
Gjatë ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi Kole Narkaj, 35 vjeç, banues në fshatin Bratosh, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në fshatin Vrakë. Sipas policisë, ata dyshohet se kishin përshtatur tre ambiente në fshatin Boriç i Madh – një banesë dhe dy stalla – për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, duke përdorur pajisje elektrike të furnizuara me lidhje të paligjshme energjie.
Në vijim të operacionit, u ndaluan edhe katër punonjës të OSHEE-së, konkretisht shtetasit V. K., 27 vjeç; Xh. C., 24 vjeç; F. M., 63 vjeç; dhe F. K., 58 vjeç, ndërsa një tjetër punonjës, A. S., 57 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përshtatura për aktivitetin kriminal, policia sekuestroi 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6 kilogramë e 250 gramë material bimor të përpunuar, si dhe një sasi të madhe pajisjesh që shërbenin për kultivimin në ambiente të mbyllura: 195 llamba ndriçimi, 21 aspiratorë dhe 20 filtra ajri.
Autoritetet bëjnë me dije se puna vijon për kapjen e 36-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



