Ky është shqiptari që u dënua me 22 vite burg në SHBA për terrorizëm
Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i njohur me nofkën “Dentisti”, i cili në dhjetor të vitit 2018 u dënua nga një gjykatë federale në Manhattan me 22 vite burg. Vendimi ndaj tij u dha për ofrim të mbështetjes materiale ndaj grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS), si edhe për mashtrim në procesin e pajisjes me pasaportë amerikane.
Alimehmeti kishte rënë në radarët e autoriteteve ndërkombëtare që prej vitit 2014, kohë kur iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar në dy tentativa të ndara. Sipas hetimeve, ai synonte të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar luftëtarëve të ISIS-it. FBI ka dokumentuar se ai kishte blerë thika dhe pajisje të karakterit ushtarak, si edhe kishte shfaqur materiale propagandistike të dhunshme, ku paraqiteshin ekzekutime të të burgosurve nga militantë të organizatës terroriste.
Hetimet tregojnë gjithashtu se Alimehmeti kishte shprehur hapur synimin për të udhëtuar drejt Sirisë bashkë me vëllanë e tij, i cili më pas u arrestua. Në vitin 2015, ai aplikoi për një pasaportë të re amerikane, duke deklaruar rrejshëm humbjen e dokumentit dhe duke fshehur faktin se i ishte refuzuar hyrja në Britani, me qëllim shmangien e dyshimeve nga autoritetet.
Në vitin 2018, Alimehmeti pranoi fajësinë për deklarime të rreme në aplikimin për pasaportë dhe për sigurimin e mbështetjes materiale ndaj ISIS-it. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi federal i Manhattanit, Paul Engelmayer, e përshkroi atë si “një bombë të kurdisur”, duke theksuar rrezikshmërinë e lartë që përfaqësonte për sigurinë publike.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka bllokuar llogari bankare në emër të familjarëve të tij, pasi nga hetimi pasuror ka rezultuar se fondet e depozituara nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
-
Llogaritë bankare të shtetasit Z.A., me gjendje 39.49 lekë dhe 4.74 dollarë, si dhe depozita në vlerën 50,109.56 USD dhe 3,862,244.93 lekë;
-
Llogarinë e shtetases V.A., me gjendje 15,001.09 euro;
-
Llogari të përbashkëta të Z.A. dhe V.A., me gjendje 11,734,250 lekë.
Hetimet për procedimin pasuror vijojnë, ndërsa Prokuroria kërkon kalimin e këtyre pasurive në pronësi të shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



