E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Shatërvani i Trevit” nuk do të jetë më falas, ja sa do kushtojë tani
Bota

“Shatërvani i Trevit” nuk do të jetë më falas, ja sa do kushtojë tani

Shatërvani i Trevit, monumenti ikonik që prej dekadash është kthyer në simbol të Romës dhe magnet për miliona vizitorë, po hyn në një fazë të re menaxhimi. Vizita nga afër e këtij atraksioni të famshëm nuk do të jetë më krejtësisht e lirë.

Nga dita e hënë, 2 shkurt, bashkia e Romës do të nisë zbatimin e një tarife prej 2 eurosh për hyrjen në zonën më të afërt pranë shatërvanit. Vendimi synon të vërë nën kontroll fluksin e madh të turistëve që grumbullohen çdo ditë rreth monumentit.

Kryeqyteti italian, ashtu si destinacione të tjera të njohura si Venecia dhe Firence, po përballet me një rritje rekord të vizitorëve, çka ka sjellë mbipopullim, bllokim të qarkullimit dhe shqetësime të vazhdueshme për komunitetin vendas.

Çdo ditë, dhjetëra mijëra turistë ndalojnë te Shatërvani i Trevit për të realizuar fotografi dhe për të hedhur monedha sipas traditës, duke e shndërruar zonën përreth në një pikë ku kaosi është shpesh i pashmangshëm.

Sipas autoriteteve lokale, pagesa e re ka për qëllim të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë përvojën e vizitorëve. Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, ka theksuar se masa synon një përdorim më të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore dhe reduktimin e mbipopullimit.

Tarifa do të aplikohet vetëm për kalimin në shtegun e ngushtë pranë ujit, ndërsa sheshi kryesor përballë shatërvanit do të vazhdojë të jetë i aksesueshëm pa pagesë. Sistemi i ri do të funksionojë kryesisht nga ora 09:00 deri në 22:00, me përjashtim të të hënave dhe të premteve, kur hyrja do të nisë nga ora 11:30.

Biletat do të ofrohen si online, ashtu edhe në vend, por pagesa do të pranohet vetëm përmes kartës bankare. Për të shmangur rradhët e gjata, do të krijohen dy korridore të ndara: një për vizitorët me bileta të blera paraprakisht dhe një për ata që blejnë në moment, ndërsa hyrja do të monitorohet nga staf i posaçëm.

Prej më shumë se një viti, autoritetet kanë vendosur kufizim prej 400 personash njëkohësisht në zonën pranë shatërvanit. Megjithatë, shifrat tregojnë se numri i vizitorëve arrin rreth 30 mijë në ditët normale dhe deri në 70 mijë gjatë periudhave me fluks të lartë.

Roma nuk është e vetmja që po ndërmerr masa të tilla. Edhe Venecia ka aplikuar tarifa për turistët ditorë dhe planifikon t’i rikthejë ato gjatë sezonit veror, si pjesë e strategjisë për të frenuar mbiturizmin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.