Amnistia selektive dhe hipokrizia e legalizimeve
Politika shqiptare flet shpesh për amnisti si akt human dhe social. Por sa herë miratohen ligje të tilla, del në pah një realitet tjetër: amnistia bëhet selektive dhe shpesh harron pikërisht ata që janë viktima të dështimeve të vetë shtetit. Rasti më i qartë është përjashtimi i veprës penale të ndërtimit pa leje për banim, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal.
Për më shumë se një dekadë, mijëra qytetarë presin të përfundojë procesi i legalizimit të banesave të tyre. Ata nuk mund të marrin leje ndërtimi apo të kryejnë punime edhe minimale, sepse ligjërisht nuk njihen si pronarë. Në dokumente, toka e tyre vazhdon të figurojë si pronë shtetërore. Pra, qytetarët mbeten të bllokuar në një proces administrativ pa afat, ku nuk kanë të drejta reale mbi banesën ku jetojnë prej vitesh.
Paradoksi është i qartë dhe i rëndë: shteti nuk u njeh pronën, nuk u jep leje ndërtimi dhe njëkohësisht i ndjek penalisht nëse ndërhyjnë në shtëpitë e tyre, shpesh për nevoja bazë jetese. Në shumë raste, këta qytetarë ndëshkohen fillimisht me gjoba dhe me vendime për prishje objektesh, e më pas përballen edhe me përgjegjësi penale. Kjo nuk është politikë penale funksionale, por transferim i pasojave të dështimit institucional tek qytetari.
Mos përfshirja e kësaj vepre në amnisti tregon një shkëputje të thellë mes realitetit social dhe vendimmarrjes politike. Ndërkohë që për vite me radhë janë bërë premtime për legalizime dhe integrim të ndërtimeve informale, procesi ka mbetur i zvarritur, i paqartë dhe shpesh i pambaruar. Sot, qytetarët jo vetëm që nuk kanë marrë zgjidhje, por përballen edhe me penalizim.
Nëse Kuvendi kërkon të tregojë realisht ndjeshmëri sociale, duhet të pranojë se një pjesë e madhe e ndërtimeve pa leje për banim janë pasojë direkte e vonesave dhe dështimeve të procesit të legalizimeve. Përndryshe, amnistia mbetet një akt selektiv që lehtëson statistikat e drejtësisë, por jo padrejtësitë që politika ka krijuar ndër vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



