Zbulohen prapaskenat, ja pse Rama po shmang përplasjen me SPAK
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj reformës në drejtësi, duke theksuar se deklaratat e fundit të kreut të qeverisë synojnë të zhvendosin përgjegjësinë nga prokuroria te gjykatat.
I ftuar në A2 CNN, Hoxha u shpreh se Rama, në komentet e tij publike, nuk u fokusua te Prokuroria e Posaçme, por te vendimmarrja e gjykatave, duke lënë të kuptohet se kjo qasje vjen pas kritikave që ka marrë kohët e fundit për mënyrën si ka trajtuar reformën.
Sipas gazetarit, propozimet e fundit synojnë kufizimin e pezullimit nga detyra për zyrtarët, por nuk prekin masën e arrestit. Ai theksoi se aktualisht procedura kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa vendimet për masat e sigurisë mbeten në kompetencë të gjykatave.
Hoxha argumentoi se vetë Rama pranoi publikisht se gjykatat po miratojnë kërkesat e prokurorisë, gjë që sipas tij ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e reformës në drejtësi pas më shumë se një dekade.
“Po të shikosh në pamje të parë, ai kërkon të heqë pezullimin, por nuk heq dot arrestimin. Sot nuk u mor me SPAK-un, u mor me gjykatat. Fajësoi gjykatat për atë që bën SPAK, sepse vendimet janë gjykatash. Ai vetë e bëri reformën. Çfarë ka bërë tani?” u shpreh Hoxha.
Gazetari shtoi se statistikat e dhjetë viteve të fundit tregojnë probleme serioze në sistem, duke theksuar se, sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve rezultojnë të pafajshëm, çka bie ndesh me parimet bazë të drejtësisë.
Artan Hoxha: Në pamje të parë po të shikosh ai do të heqë pezullimin, po nuk heq dot arrestimin. Kërkon që ata t’i drejtohen kuvendit për arrestim direkt. Sot nuk u mor me SPAK-un, u mor me gjykatat. Fajësoi gjykata për atë që bën SPAK. Sepse dikush i ka dhënë këto kohë që po i bie gabim. Po i bie SPAK-ut kot. Po ato janë vendime gjykatash. Dhe sot ai më në fund tha gjykatat noterizojnë vendimet e SPAK. Po ti je njeriu që bëre reformën. Çfarë ke bërë ti tani? Sot jemi në kohën 10 vjet mbrapa ku më qartë se kurrë të gjitha statistikat na thonë që kemi dështuar me reformën. Nuk fshihemi dot dhe të gjitha shifrat që përmendi vetë kryeministri sot dhe duhet të dalë ai i pari të thotë që kemi dështuar, e kemi bërë gabim dhe dështimi e di ku ka qenë? Jo thjesht te qytetarët e pafajshëm sot brenda, se postulati në drejtësi është më mirë 99 të fajshëm jashtë, sesa një i pafajshëm brenda. Ndërkohë ne kemi 2/3 e të burgosurve i kemi të pafajshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



