Kreu i Partia Mundësia, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se projekti Durana Tech Park është përdorur si një skemë për të favorizuar biznese pranë qeverisë.
Në fjalën e tij, Shehaj e cilësoi projektin si një “skenë mashtrimi” të ngritur nga Edi Rama për të krijuar përfitime për individë të lidhur me pushtetin. Ai publikoi edhe një fotografi në sallën e Kuvendit, duke thënë se projekti i prezantuar si investim strategjik është në realitet një zonë e papërfunduar.
Sipas Shehajt, projekti fillimisht u promovua si një park teknologjik me përfitime të mëdha për investitorët, por më pas dështoi në realizimin fizik dhe u zhvendos në një model virtual. Ai deklaroi se një muaj para hapjes së aplikimeve për bizneset që do të regjistroheshin në park, biznesmeni Ermal Beqiri krijoi një shoqëri me disa kompani të fushës së teknologjisë, të cilat më pas u regjistruan në këtë projekt.
Shehaj pretendoi se nga 46 biznese të regjistruara në mënyrë virtuale në Durana Tech Park, rreth dy të tretat lidhen me Beqirin. Ai përmendi gjithashtu edhe emra të tjerë, duke i lidhur me atë që e cilësoi si një skemë përfitimi fiskal.
“Ju u premtuat qytetarëve e se për këtë qëllim duhet t’u premtojmë investitorëve të huaj e vendas se ata nuk do të paguajnë taksa, zero taksa se kjo është mënyra e vetme që ta të shkojnë të investojnë në Durana Park. Iu thatë shqiptarëve se ju do të paguani taksa, ata nuk do të paguajnë. Ky ishte projekti që ju reklamuat.
Ky është realiteti (nxjerr foton), fushë me lopë. Ju nuk u dorëzuat, thatë nuk e bëmë dot këtë fizikisht por mund ta bëjë virtualisht, dhe më edhe kolegen tuaj drejtoreshën e Korporatës së Invëstimeve ratë dakord ta bënit virtualisht.
Rastësisht një muaj para se të hapeshin aplikimet për bizneset që të regjistroheshin virtualisht, Ermal Beqiri krijoi një shoqatë me biznese në fushën e teknologjisë. Beqiri, i plotfuqishmi i tenderave të AKSHI. Dhe si për rastësisht pjesa më e madhe e bizneseve të regjistruara në këtë, u regjistruan në Durana park. U regjistruan 46 biznese virtualisht, dhe nga të cilat, 2/3 janë të Beqirit. E gjithë kjo skemë ishte një skemë mashtrimi, që t’u jepte mundësinë Ermal Beqirit, Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj që përveçse të merrte lekët nga arkat e shtetit, të kishte mundësinë të mos paguante asnjë taksë.”, tha Shehaj.
Akuzat e tij pritet të sjellin reagime nga mazhoranca, ndërsa debati për projektin e Durana Tech Park dhe përfitimet fiskale që lidhen me të po thellohet në skenën politike.







