Policia e dhunon protestuesin në komisariat nuk e çoi në spital
Një protestues është dhunuar rëndë nga efektivë të policisë gjatë shoqërimit të tij pas protestës kombëtare të opozitës. Pamjet e siguruara tregojnë të riun në gjendje të rënduar, ndërsa sipas dëshmitarëve, ai nuk është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve në terren, bashkë me të është dhunuar edhe një tjetër protestues. Pretendohet se fillimisht policia ka refuzuar t’i dërgojë të lënduarit në spital, duke ngritur dyshime për tentativë për të shmangur dokumentimin mjeko-ligjor të dëmtimeve.
Nga ambientet e Komisariatit Nr. 1 ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili deklaroi për mediat se një prej protestuesve është mbajtur në komisariat në kundërshtim me ligjin, pavarësisht se kishte nevojë të menjëhershme për ndihmë mjekësore.
Sipas Bardhit, vetëm pas ndërhyrjes së vazhdueshme të deputetëve të opozitës është thirrur autoambulanca dhe i riu është transportuar drejt Spitali Universitar i Traumës për trajtim.
Në Komisariatin Nr. 1 raportohet se janë shoqëruar dhjetëra qytetarë që morën pjesë në protestën e opozitës, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve politikë dhe mediave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



