E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralizimi i juglindjes, ankth dhe frikë për emergjencat shëndetësore
Lajme

Paralizimi i juglindjes, ankth dhe frikë për emergjencat shëndetësore

Bllokimi i aksit rrugor Librazhd–Prrenjas po krijon probleme serioze edhe për transportin e urgjencave mjekësore që nisen nga Spitali Rajonal i Korçës drejt Tiranë.

Ambulancat, njësoj si automjetet e tjera, janë të detyruara të ndjekin itinerarin alternativ Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, një rrugë e ngushtë dhe me shumë kthesa, e cila në disa segmente paraqet edhe problematika infrastrukturore.

Për shkak të kushteve të kësaj rruge, drejtuesit e ambulancave janë të detyruar të lëvizin me shpejtësi më të ulët, çka rrit ndjeshëm kohën e transportit për pacientët që kanë nevojë për trajtim apo ndërhyrje më të specializuara në kryeqytet.

Burime nga spitali bëjnë me dije se nga Korça drejt Tiranës nisen mesatarisht dy ambulanca në ditë për raste që kërkojnë shërbime më të avancuara mjekësore.

Në situata të tilla çdo minutë është vendimtar, por devijimi i detyruar dhe zgjatja e itinerarit po krijojnë pasiguri dhe stres për pacientët. Rruga e vështirë dhe koha më e gjatë e udhëtimit, krahasuar me itinerarin e zakonshëm, rrisin ankthin edhe tek familjarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për raste urgjente.

Kjo situatë po nxjerr në pah se infrastruktura rrugore ka një ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në qarkullim, por edhe në zinxhirin e kujdesit shëndetësor dhe në sigurinë e jetës së pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje të shpejta mjekësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.