VIDEO/ Shembet një pjesë e banesës historike Fico në Gjirokastër
Shpëton për mrekulli e moshuara që jetonte brenda
Një pjesë e konsiderueshme e banesës trekatëshe Fico, e vendosur në lagjen karakteristike Palorto në Gjirokastër, është shembur në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, shembja ka ndodhur papritur në katin e tretë të banesës, ku ndodheshin edhe dhomat e gjumit. Në momentin e ngjarjes, në shtëpi ndodhej e zonja e banesës, Lule Fico, e cila ka shpëtuar për mrekulli pasi ishte zgjuar vetëm pak minuta para se një pjesë e konstruktit të rrëzohej.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se bazamenti i dy odave në pjesën e sipërme të shtëpisë, pranë çatisë, është shembur plotësisht. Si pasojë, orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në dhomat e gjumit janë dëmtuar rëndë, ndërsa edhe muret anësore kanë pësuar rrëzim.
Pas ngjarjes, e moshuara është strehuar përkohësisht në një hotel pranë banesës, ndërsa pritet që familjarët e saj ta marrin për ta dërguar drejt Tiranë.
Ndërkohë, specialistë të Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer vlerësimin e dëmeve dhe për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme për stabilizimin e objektit. Sipas tyre, ndërhyrjet pritet të realizohen vetëm pasi kushtet atmosferike të jenë më të favorshme, për shkak të lagështirës dhe amortizimit të terrenit ku ndodhet banesa.
Autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur rrezikun e shembjeve të tjera në strukturën e godinës./Aamela Qirko
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



