Rama ‘vajton’ sulmin ndaj vilës së Enverit dhe sulmon gjyqtarët

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjetin social X pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e kaluar në Tirana gjatë protestës së Partia Demokratike, duke drejtuar akuza të forta ndaj gjyqtarëve që, sipas tij, kanë liruar persona të arrestuar për akte dhune dhe vandalizmi.

Rama deklaron se reagimi i tij vjen pasi ka vizituar rezidencën e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, ku aktualisht fondacioni Art Explora pret artistë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Sipas tij, artistët janë ndjerë të tronditur nga ngjarjet e mbrëmshme, të cilat ai i cilëson si “barbari”.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë flet për një “sulm të verbër” nga persona që i konsideron të paguar për të frikësuar qytetin dhe për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Ai akuzon drejtpërdrejt një figurë politike opozitare, pa e përmendur me emër, duke e cilësuar si “ligësirë kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare” dhe duke e lidhur me organizimin e akteve të dhunës.

Por pjesa më e fortë e reagimit i drejtohet sistemit të drejtësisë.

Rama shprehet se gjyqtarët që lirojnë personat e arrestuar për zjarrvënie apo dhunë janë “bashkëpërgjegjës” për vandalizmat. Ai shton se këto akte, sipas tij, janë të paprecedenta në Europë dhe kryhen me mbështetjen e një partie parlamentare.

Kryeministri kritikon gjithashtu qeverisjen e gjyqësorit, duke e akuzuar për qëndrim pasiv ndaj situatës. Reagimi i tij pritet të rihapë debatin politik mbi marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe pushtetit gjyqësor, në një kohë kur tensionet mes mazhorancës dhe opozitës mbeten të larta.


Reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama

“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.

Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!

Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”

Publikuar nga Publik Media