Lindja e Mesme në kaos total, me qindra e mijëra pasagjerë të bllokuar
Qielli mbi Gjirin Persik është mbyllur për rreth 48 orë, duke shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe duke lënë qindra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte në të gjithë rajonin.
Autoritetet në Katari, Irani dhe Iraku kanë vendosur të mbyllin hapësirat e tyre ajrore për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në rajon. Si pasojë, disa nga aeroportet më të rëndësishme ndërkombëtare janë detyruar të ndërpresin operacionet.
Ndër më të prekurit është edhe aeroporti i Dubai, një nga qendrat më të mëdha të transportit ajror në botë, ku shumë fluturime janë anuluar ose shtyrë për disa ditë.
Fluturimet ndërpriten në gjithë rajonin
Të dhënat e publikuara nga Flightradar24 tregojnë se trafiku ajror në të gjithë Lindjen e Mesme është ndërprerë në një pjesë të madhe të hapësirës ajrore, ndërsa kompanitë ajrore kanë devijuar ose anuluar fluturimet.
Ndërkohë, Qatar Airways, një nga linjat ajrore më të mëdha në rajon pas Emirates, njoftoi se operacionet e saj janë pezulluar përkohësisht. Kompania bëri të ditur se një përditësim mbi rifillimin e fluturimeve pritet të publikohet në orët e para të mëngjesit sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar.

Konflikti po zgjerohet në rajon
Ndërkohë situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar. Zyrtarë të lartë të Iranit kanë deklaruar se Teherani “nuk do të negociojë” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Raportohet se shpërthime janë dëgjuar në disa qytete të Gjirit, përfshirë Abu Dhabi dhe Doha, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hezbollah po intensifikohen.
Sipas presidentit amerikan Donald Trump, ekziston mundësia që numri i viktimave amerikane të rritet, pasi tre ushtarakë amerikanë janë vrarë gjatë sulmeve në Kuvajt.
Ndikim në transport dhe tregtinë e naftës
Konflikti në zgjerim ka goditur rëndë edhe transportin ajror ndërkombëtar dhe rrjedhën e tregtisë së naftës nga rajoni i Gjirit. Situata po krijon vështirësi të mëdha edhe për vendet që përpiqen të evakuojnë qytetarët e tyre nga zona e konfliktit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



