Shkuan të kapnin personin në kërkim, plagosen ‘Shqiponjat’ e Dibrës
I shtyu personi që do arrestonin
Njëri transportohet me helikopter drejt Tiranës
Një operacion i policisë në Dibër ka përfunduar me dy efektivë të plagosur, pasi personi i shpallur në kërkim, që ishte objektiv i ndërhyrjes, ka kundërshtuar me forcë arrestimin.
Ngjarja ndodhi paraditen e kësaj të mërkure, në momentin kur forcat “Shqiponja” hynë në një banesë për të ekzekutuar urdhrin e ndalimit. Sipas informacioneve paraprake, gjatë përplasjes fizike i kërkuari ka shtyrë nga një lartësi dy punonjësit e policisë, Gentian Meda dhe Bilal Gjapi, duke u shkaktuar atyre dëmtime.
Si pasojë e goditjes në kokë, Meda është transportuar me urgjencë drejt Tiranës me helikopter për trajtim më të specializuar. Ndërkohë, Gjapi dyshohet se ka pësuar frakturë në këmbë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas incidentit, personi i shpallur në kërkim ka tentuar t’i shpëtojë prangave duke u hedhur nga kati i dytë i banesës dhe është larguar nga vendngjarja. Forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli në zonë dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e tij.
Autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar me detaje të plota mbi rrethanat e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



