Bianca Censori befason me paraqitjen në gjykatën e Los Angeles
Stilistja australiane Bianca Censori është shfaqur me një paraqitje krejtësisht ndryshe nga ajo që publiku është mësuar të shohë, gjatë një seance gjyqësore në Los Angeles që lidhet me një padi civile ndaj bashkëshortit të saj, reperit Kanye West.
Censori tërhoqi vëmendjen e mediave për stilin e saj të rezervuar. Ndryshe nga daljet e zakonshme publike ku shpesh shfaqet me veshje ekstravagante, këtë herë ajo kishte zgjedhur një fustan të thjeshtë, ndërsa flokët i kishte mbledhur në topuz, duke krijuar një imazh shumë më serioz dhe formal.

Përveç fotografive të realizuara jashtë sallës së gjyqit, brenda saj është realizuar edhe një skicë gjyqësore ku stilistja paraqitet e ulur gjatë seancës dëgjimore. Ilustrimi është realizuar nga artistja e skicave gjyqësore Mona Shaffer Edwards, e cila e ka paraqitur Censorin të përqendruar dhe serioze gjatë zhvillimit të procesit.
Seanca gjyqësore lidhet me një padi civile të ngritur nga Tony Saxon kundër Kanye West. Saxon pretendon se është punësuar nga reperi në vitin 2021 si menaxher projekti për rinovimin e rezidencës së tij luksoze në Malibu.

Sipas dokumenteve të padisë, ai akuzon West se nuk i ka paguar pagat për punën e kryer, ka krijuar kushte të pasigurta pune dhe më pas e ka pushuar nga puna në mënyrë të paligjshme. Në dosjen gjyqësore thuhet gjithashtu se Saxon ka punuar deri në 16 orë në ditë gjatë procesit të rinovimit të shtëpisë, të cilën reperi e kishte blerë për rreth 57 milionë dollarë.

Padia përmend edhe një incident ku Saxon pretendon se e kishte paralajmëruar West për rrezikun e vendosjes së gjeneratorëve të mëdhenj brenda banesës. Sipas tij, reperi i ishte përgjigjur me një paralajmërim të drejtpërdrejtë: nëse nuk zbatonte udhëzimet e tij, nuk do të vazhdonte më të punonte për të dhe nuk do të kishte më asnjë marrëdhënie me të.
Nga ana tjetër, Kanye West i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që padia të rrëzohet nga gjykata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



