E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përlot e afërmja e Xhuanës: Ishte përgatitur për një jetë të re!
Lajme

Përlot e afërmja e Xhuanës: Ishte përgatitur për një jetë të re!

Qindra qytetarë, familjarë dhe përfaqësues institucionesh u mblodhën mbrëmjen e së premtes në qendër të Lezhës për të nderuar kujtimin e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila humbi jetën në rrethana tragjike pas konsumimit të fostoksinës. Atmosfera ishte e qetë dhe e mbushur me dhimbje, ndërsa pjesëmarrësit vendosën qirinj dhe lule, duke krijuar një moment simbolik për të përkujtuar jetën e re që u ndërpre para kohe.

Familjarët e saj tregojnë se Xhuana kishte kaluar muaj të vështirë pas ndarjes nga ish-bashkëshorti, me të cilin ishte divorcuar rreth tre muaj më parë. Sipas tyre, ajo kishte gjetur mbështetje të plotë te familja dhe po përpiqej të rindërtonte jetën, duke u zhvendosur në Tiranë për të nisur një kapitull të ri.

E afërmja e saj, Vitore Skandaj, u shpreh se 25-vjeçarja kishte filluar të rimerrte veten dhe ishte në prag të një fillimi të ri. Madje, sipas saj, Xhuana pritej të fillonte një punë të re në Tiranë vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike që i mori jetën.

Homazhet në Lezhë u kthyen edhe në një moment reflektimi për komunitetin, duke nxjerrë në pah nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe mbështetje për personat që përballen me dhunë në familje dhe situata të vështira emocionale.

Ndërkohë, në lidhje me këtë rast, policia ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi. Ai dyshohet për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-partneres në Tiranë, ku mund të ketë pasur një përplasje mes tyre.

Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, e reja dyshohet se ka konsumuar fostoksinë. Burime nga hetimi bëjnë me dije se në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune, ndërsa në banesë është gjetur një letër që ajo u kishte lënë familjarëve.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa e tyre zgjati vetëm disa muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte me motrat e saj. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.