GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Benet Beci
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen ndaj Benet Becit, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë.
Sipas akuzës, veprat e dyshuara janë kryer gjatë kohës kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), ku në cilësinë e titullarit dyshohet se ka bashkëpunuar me disa funksionarë dhe persona të përfshirë në proces. Në listën e të pandehurve përfshihen Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Adela Ruko, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti.
Hetimet lidhen me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 700 milionë lekë, ku sipas organit të akuzës, janë krijuar kushte favorizuese për një subjekt të caktuar, duke cenuar konkurrencën e lirë dhe parimin e barazisë në tendera.
Dosja është regjistruar në vitin 2024 nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pas verifikimeve të kryera mbi të dhëna të siguruara nga pajisje elektronike, që lidhen me ish-zyrtarin Evis Berberi, i përfshirë në hetime të tjera për çështje tenderash.
Ndërkohë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pretendon se gjatë gjithë procedurës janë kryer shkelje të njëpasnjëshme ligjore. Sipas akuzës, këto përfshijnë përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, vendosjen e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe procesin e vlerësimit të ofertave.
Çështja pritet të shqyrtohet në vijim nga GJKKO, ku do të verifikohen në detaje pretendimet e ngritura nga prokuroria dhe roli i secilit prej të pandehurve në këtë procedurë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



