PD ‘i ul traun’ Ervin Salianjit: Nuk mund të kandidojë për kryetar!
Partia Demokratike e Shqipërisë ka vendosur t’i mbyllë përfundimisht rrugën rikthimit në garë ish-deputetit Ervin Salianji, duke mos e lejuar të kandidojë për kreun e partisë në zgjedhjet e 23 majit.
Burime zyrtare nga selia blu konfirmojnë se Salianji nuk figuron më në listat e anëtarësisë, çka e përjashton automatikisht nga e drejta për të garuar. Në një reagim për një media, Sekretariati i Përgjithshëm i PD-së theksoi prerazi se ai nuk mund të jetë kandidat, pikërisht për shkak të mungesës së statusit si anëtar.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur vetë Ervin Salianji nuk e kishte përjashtuar publikisht mundësinë e kandidimit, duke u konsideruar edhe si një nga rivalët potencialë më të fortë përballë Sali Berisha. Megjithatë, përditësimi i listave të anëtarësisë ka ndryshuar rrënjësisht situatën, duke e lënë atë jashtë strukturave të partisë.
Sipas qëndrimeve zyrtare, përjashtimi lidhet me shkelje të vijës politike dhe qëndrime që janë konsideruar në kundërshtim me interesat e PD-së. Vetë Sali Berisha e ka cilësuar më herët Salianjin si “të vetëpërjashtuar”, duke e akuzuar për bashkëpunim me kundërshtarët politikë.
Ndërkohë, gara për drejtimin e PD-së pritet të jetë e kufizuar, pasi edhe emra të tjerë që kanë shprehur ambicie publike, si Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, rrezikojnë të mos lejohen të kandidojnë për shkak të mungesës së anëtarësisë në parti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



