E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Albpetrol në krizë, 150 milion lek harxhohen për foto dhe video instagrami
Lajme

Albpetrol në krizë, 150 milion lek harxhohen për foto dhe video instagrami

Tenderi abuziv i Eltar Dedës

Një denoncim publik i bërë nga Almer Toska ka rikthyer vëmendjen mbi menaxhimin e fondeve në sektorin e naftës, duke ngritur akuza për një tender të dyshimtë në kompaninë shtetërore Albpetrol.

Sipas Toskës, ndërsa kompania përballet me rënie të ndjeshme financiare, drejtuesi i saj, Eltar Deda, dyshohet se ka orientuar shpenzime të konsiderueshme drejt imazhit dhe propagandës në rrjetet sociale. Në qendër të kritikave është një fond prej rreth 150 milionë lekësh që pretendohet të jetë përdorur për prodhim videosh dhe fotosh promocionale.

Denoncimi thekson se që prej marrjes së detyrës në tetor 2022, pas emërimit nga Belinda Balluku, performanca financiare e Albpetrol është përkeqësuar ndjeshëm, me fitime që, sipas pretendimeve, janë ulur rreth 2.5 herë. Në këtë kontekst, shpenzimet për marketing dhe komunikim konsiderohen si të pajustifikuara.

Një nga pikat më të forta të akuzës lidhet me një procedurë prokurimi me vlerë 14.8 milionë lekë pa TVSH, e cila kishte si objekt “strategjinë e komunikimit dhe marketingut”. Sipas Toskës, tenderi është shoqëruar me parregullsi, duke u sinjalizuar me “flamur të kuq” për risk korrupsioni. Ai pretendon se kompania që fillimisht ishte renditur e para është skualifikuar për një arsye teknike, ndërsa fituesi është shpallur më pas në mënyrë të diskutueshme.

Çështja, sipas denoncimit, ka përfunduar në Komisioni i Prokurimit Publik, i cili ka konstatuar shkelje dhe ka kërkuar anulimin e procedurës.

Në thelb, kritikat fokusohen te përdorimi i fondeve publike për prodhime promocionale – video, foto dhe përmbajtje për rrjetet sociale – në një kohë kur sektori i naftës përballet me sfida të shumta në terren, nga rënia e prodhimit te problematikat mjedisore.

Deri tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Albpetrol apo institucionet përgjegjëse lidhur me këto akuza.

Reagimi i plotë:

Në Shqipëri, për sektorin e naftës dëgjon vetëm dy gjëra: skandale dhe propagandë. Kompani që nuk paguajnë taksa, fitime që zhduken në eksport, rafineri që mbyllen dhe toka që kthehet në panele diellore apo pallate. Ndërkohë, nga qeveria serviren “suksese” që ekzistojnë vetëm në ekran. Në krye të kësaj tabloje qëndron Edi Rama, i cili do të mbahet mend për premtime si “nafta e Shpiragut” që nuk doli kurrë në sipërfaqe.

Të njëjtën linjë ndjek edhe drejtori i Albpetrol, Eltar Deda. Ndërsa kompania shtetërore po bie në mënyrë të ndjeshme, ai harxhon rreth 150 milionë lekë për video dhe foto në Instagram, një luks propagandistik që bie ndesh me realitetin e shifrave. Që nga momenti kur mori detyrën nga Belinda Balluku në tetor 2022, fitimet e Albpetrol janë ulur rreth 2.5 herë, një tregues i qartë i degradimit të kompanisë, por që nuk do ta shohësh kurrë në postimet e kuruara të rrjeteve sociale.

Në vend që të përballet me realitetin, drejtuesi zgjedh të blejë imazh me para publike. Një tender me vlerë 14.8 milionë lekë pa TVSH për “strategji komunikimi dhe marketingu” është prova më e qartë se si përdoren fondet për të mbuluar dështimet. Pra, pasi financat janë rrënuar, paguhet edhe propaganda për t’i lyer me bojë. Por edhe ky proces rezulton i mbushur me dyshime të forta. Procedura është shënuar me “flamur të kuq” për risk korrupsioni, pasi fituesi ndryshohet në mënyrë të dyshimtë. Kompania që fillimisht renditet e para shpallet papritur e skualifikuar me justifikimin absurd të një “gabimi teknik”, ndërsa një tjetër shpallet fituese.

Kjo farsë nuk kalon pa reagim. Çështja përfundon në Komisioni i Prokurimit Publik, i cili pranon shkeljet dhe kërkon anulimin e tenderit. Pra kemi një histori tipike: fillimisht shpallesh fitues, më pas përmbytesh me një email, dhe në fund procesi bie për shkelje ligji. Një skemë që ngjan më shumë me lojëra tavoline sesa me administrim të parave publike.

Ndërkohë, thelbi i këtij tenderi është edhe më skandaloz. Paratë nuk shkojnë për investime reale në sektorin e naftës, por për një arsenal propagande: video promocionale, klipe për rrjete sociale, foto profesionale dhe dizajne për Instagram. Një “show” i tërë për të krijuar iluzionin e suksesit, ndërsa realiteti në terren, nga Fieri në Mallakastër e deri në Vlorë, tregon një tjetër histori, atë të ndotjes, rënies dhe menaxhimit të dështuar./Almer Toska

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.