Ku i çuan? Mbetjet toksike të KURUM, largohen nga Porto Romano
Kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike, të cilët prej muajsh mbaheshin nën monitorim në zonën e sektorit, janë zhvendosur gjatë ditës së sotme në një tjetër hapësirë pranë fshatit Vrinas. Lëvizja vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme dhe kërkesave të banorëve për largimin e tyre nga zona.
Kjo çështje ka qenë në qendër të vëmendjes që prej verës së kaluar, kur 102 kontejnerë të nisur nga Porti i Durrësit u kthyen nga Malajzia, pas dyshimeve se transportonin rreth 2100 ton mbetje potencialisht të rrezikshme. Rasti bëri jehonë ndërkombëtare dhe ngriti pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e mbetjeve dhe kontrollin institucional.
Pas mbërritjes në Durrës në fund të tetorit 2024, kontejnerët u vendosën në një hapësirë private në zonën e Porto Romanos, ku u mbajtën nën ruajtje të vazhdueshme nga forcat e rendit dhe nën mbikëqyrje me kamera sigurie.
Hetimet e mëvonshme çuan në ndërhyrjen e Prokuroria e Durrësit, e cila pas më shumë se një viti lëshoi 33 urdhërarreste ndaj personave të dyshuar për shkelje të legjislacionit mjedisor. Sipas hetimeve, përgjegjësi janë identifikuar në disa nivele, përfshirë kompani private si Kurum dhe “Sokolaj”, si dhe institucione shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit.
Megjithatë, jo të gjitha urdhërarrestet janë ekzekutuar. Nga 33 masa të lëshuara, vetëm 20 janë zbatuar deri tani. Vendimet gjyqësore të datës 6 shkurt përcaktuan masa të ndryshme sigurie: 8 persona u lanë në burg, 5 në arrest shtëpie, ndërsa 7 të tjerë u detyruan të paraqiten periodikisht pranë autoriteteve.
Zhvendosja e fundit e kontejnerëve pritet të rihapë debatin mbi sigurinë mjedisore dhe transparencën institucionale në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



