Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, janar 2026. Nëse ka një karakteristikë që bie në sy që në shikim të parë, është prania kudo e kantierëve të ndërtimit. Megjithatë, kjo siluetë moderne e qytetit fsheh një anë të errët, ashtu siç e dëshmojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët mes magjistratëve italianë dhe shqiptarë.
Paradoksi ekonomik
“Marrim një shembull. Për një projekt të tillë duhen 100 milionë euro. Me nivelin tonë të jetesës dhe ekonominë zyrtare, realizimi i tij do të ishte i pamundur. Thjesht nuk ka para. Pse ekonomia nuk po rritet? Sepse nuk kemi kapital për të investuar në këtë sektor.
Në Shqipëri, paga mesatare është rreth 800 euro. Të gjitha shkojnë për ushqim dhe shpenzime mujore; nuk ka hapësirë për të kursyer e më pas për të riinvestuar”- shprehet ekonomisti Pano Soko, ndërsa shpjegon situatën përpara kantierit të “Exposita Building”, një godinë 93 metra e lartë në qendër të Tiranës.
Djali i sipërmarrësit që po zhvillon projektin është në kërkim nga SPAK për trafik droge. Ky kantier përfaqëson shembullin perfekt të një biznesi të madh që ushqehet nga kapitalet e nëndheshme, të cilat gjejnë te ndërtimi rrugën e tyre natyrale.
Nëse ke 1 milion euro, çfarë do të bësh me to? Mund t’i përdorësh bankat “offshore”, por është një operacion i kushtueshëm. Nuk mund t’i çosh në bankë, kështu që gjen një mënyrë për t’i investuar.
Paratë pastrohen duke ndërtuar grataçela dhe apartamente, me shpresën se çmimi do të mbetet i qëndrueshëm ose, edhe më mirë akoma, do të rritet. Qytete si Durrësi, Shkodra e të tjerë, janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten përmes riciklimit të parave të pista në biznesin e ndërtimit.
Shifra alarmante
Në sheshin “Skënderbej” takojmë Zef Preçin, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Ai thotë: “Ekonomia jonë është e vogël, me një PBB vjetore rreth 25 miliardë euro. Në 5-6 vitet e fundit, kemi konstatuar se 4.7 miliardë euro qarkullojnë jashtë kanaleve bankare.”
Sipas tij, kjo do të thotë që injektimi i parave të pista është jashtëzakonisht i lartë. Grupet kriminale po investojnë në sektorët më fitimprurës, siç janë grataçelat e shumta në Tiranë. Ndërtimi mbetet sektori më i dukshëm, por pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut.
Gjatë 15 viteve të fundit, popullsia e Tiranës është rritur me vetëm 1.000 banorë të rinj. Prandaj ky është më shumë një investim likuiditeti sesa një investim i arsyetuar ekonomikisht. Sipas raporteve, mbi 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme në ndërtim. Ndodh që një kompani me xhiro vjetore 1 milion euro, të investojë në një godinë që vlen 50-70 milionë euro.
Korrupsioni dhe institucionet
Lindita Çela, drejtore e medias investigative “Shtegu”, ka analizuar në detaje lejet e ndërtimit. Ajo ka zbuluar se kompanitë kanë shpesh lidhje ose janë bashkëpronarë me njerëz të përfshirë në politikë ose me eksponentë të krimit të organizuar.
“Sot, e gjithë administrata, deri në nivelet më të larta, është e përfshirë në korrupsion. Kemi dy zëvendëskryeministra nën akuzë, një kryebashkiak të arrestuar dhe dhjetëra drejtorë nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash” – thotë ajo.
Edhe Vladimir Mara, prokuror i SPAK, konfirmon seriozitetin e situatës. Sipas tij, elementë të krimit kanë bashkëpunuar me segmente të institucioneve, policisë, prokurorisë dhe gjykatave. “Këto grupe janë shumë të organizuara në trafikun e drogës, me shtrirje evropiane dhe njohuri të larta teknologjike, të fokusuara te fitimi i shpejtë” – thekson Mara.
Durrësi dhe “feudi” i klaneve
Durrësi, 38 km nga Tirana, është vendi ku ndërtohen resorte luksoze, por është edhe “feudi” i një prej bosëve më të njohur, Gëzim Troplini (i njohur si Poja). Zemra e Durrësit është porti i tij, i cili sot kontrollohet nga klani kriminal.
Kontrolli i portit është jetik për kalimin e sasive të mëdha të kokainës. Lufta për këtë kontroll ka qenë e egër, me vrasje të shumta, por në fund Troplini arriti ta zotëronte atë dhe të krijonte lidhje të forta politike. Ai është vizituar publikisht nga personalitete të larta dhe dyshohet se ka mbështetur kandidatë në zgjedhjet e fundit.
Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht nën gjykim për korrupsion, deklaron: “Porti i Durrësit është një port i lirë për kokainën dhe drogat. Ai administrohet tërësisht nga karteli Troplini, më i fuqishmi në Shqipëri, me lidhje të ngushta në Amerikën Latine dhe Itali. Këta kriminelë vendosin për ministrat dhe deputetët”.
Sipas Berishës, Shqipëria përfaqëson një rrezik real për sigurinë e Evropës, duke u shndërruar në “narkoshtetin” e parë evropian me potencial të lartë rrezikshmërie./RAI 3







