Salla ikonike United Center në Chicago u mbush me ritme shqiptare në orët e para të mëngjesit sipas kohës në Shqipëri, pak çaste përpara përballjes së NBA mes Chicago Bulls dhe Indiana Pacers.
Një komunitet shqiptarësh që jetojnë në Shtetet e Bashkuara solli në parket një performancë të veçantë me këngë dhe valle tradicionale nga krahina të ndryshme të vendit.
Me veshje karakteristike popullore dhe flamurin kuqezi në duar, ata krijuan një atmosferë autentike që tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve.
Publiku reagoi menjëherë, duke u bashkuar me ritmet, duke kërcyer dhe duke regjistruar momentet me telefonat e tyre, ndërsa energjia pozitive përfshiu të gjithë arenën.
Për disa minuta, një nga arenat më të mëdha sportive në SHBA u shndërrua në një skenë ku kultura shqiptare u prezantua me krenari përpara një audience të gjerë ndërkombëtare.
Në aspektin sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren e skuadrës mike, pasi Indiana Pacers triumfoi ndaj Chicago Bulls me rezultatin 145-126.







