Apeli i GJKKO shqyrton ankimimin e Ballukut për pezullimin nga detyra

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Apeli i Gjykatës së Posaçme pritet të shqyrtojë këtë të martë kërkesën e bërë nga Belinda Balluku kundër masës së sigurisë që e pezullon nga ushtrimi i detyrës.

Ish-zëvendëskryeministrja kundërshtoi vendimin e dhënë më 22 nëntor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendosi ndaj saj dy masa sigurie: pezullimin nga funksioni publik dhe ndalimin e daljes jashtë territorit të vendit. Këto masa u vendosën në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për shkelje të barazisë në procedurat e tenderimit.

Pak ditë pas këtij vendimi, qeveria shqiptare iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e masës ndaj Ballukut. Megjithatë, kjo kërkesë nuk u pranua për shqyrtim, pasi votimi i gjyqtarëve rezultoi i barabartë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht, duke e konsideruar vendimin e GJKKO-së si një ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Vendimi i Apelit pritet të jetë vendimtar për vijimin e statusit të Ballukut në raport me funksionet publike dhe hetimin në zhvillim.

Publikuar nga Publik Media