Apeli i GJKKO lë në fuqi masën ndaj Belinda Ballukut

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Apeli i Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shqyrtoi këtë të martë ankimimin e paraqitur nga Belinda Balluku lidhur me masën e sigurisë “pezullim nga detyra”. Në përfundim të seancës, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, duke e mbajtur në fuqi pezullimin e saj nga funksionet publike.

Ish-zëvendëskryeministrja kishte kundërshtuar vendimin e dhënë më 22 nëntor nga GJKKO, duke kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë që e ndalon ushtrimin e detyrës. Megjithatë, Apeli nuk ndryshoi qëndrim, duke e konsideruar të bazuar vendimin e shkallës së parë.

Në kuadër të hetimeve për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tenderë, ndaj Ballukut janë vendosur dy masa sigurie: pezullimi nga ushtrimi i detyrës dhe ndalimi i daljes jashtë vendit. Këto masa mbeten në fuqi deri në një vendimmarrje tjetër të organeve të drejtësisë.

Ndërkohë, pak ditë pas vendimit fillestar, qeveria i është drejtuar Gjykatës Kushtetues me një kërkesë për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut. Kjo lëvizje u shoqërua edhe me reagime politike.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e një anëtareje të qeverisë.

Megjithatë, në Gjykatën Kushtetuese kërkesa e qeverisë nuk u mor në shqyrtim, pasi votimi i gjyqtarëve përfundoi në barazim 4 me 4, duke e lënë çështjen pa një vendim përfundimtar në këtë fazë.

Publikuar nga Publik Media