
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA dhe Izraeli kanë arritur “çdo objektiv” në luftën kundër Iranit, ndërsa e përshkroi operacionin “Epic Fury” si një fitore ushtarake “historike dhe dërrmuese”. Sipas tij, goditjet amerikane dhe izraelite kanë shkatërruar bazën ushtarako-industriale të Iranit dhe kanë dëmtuar rëndë kapacitetet e komandës dhe koordinimit të forcave iraniane. Këto deklarata vijnë në të njëjtën ditë kur Uashingtoni, Teherani dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani.
Trump e paraqiti marrëveshjen si një “fitore totale dhe të plotë”, duke thënë se objektivat amerikane janë përmbushur. Megjithatë, mediat ndërkombëtare raportojnë se shumë pika thelbësore mbeten të paqarta, ndërsa palët japin versione të ndryshme për përmbajtjen e marrëveshjes dhe për kushtet reale të armëpushimit.
Pavarësisht retorikës triumfaliste nga Uashingtoni, situata në terren mbetet e tensionuar. Reuters raportoi këtë të mërkurë se Kuvajti po përballet me një valë dronësh iranianë, ndërsa Associated Press nënvizoi se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe zona të tjera të Gjirit vijojnë të përballen me sulme, çka hedh hije të forta dyshimi mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit të saposhpallur.
Reuters po ashtu thekson se, ndonëse SHBA-ja pretendon se Irani është goditur rëndë, udhëheqja iraniane mbetet në këmbë dhe kapacitetet ushtarake e bërthamore nuk konsiderohen të zhdukura plotësisht. Kjo do të thotë se deklaratat e Hegseth për “humbje shkatërruese” dhe për një Iran të paralizuar ushtarakisht mbeten pjesë e narrativës zyrtare amerikane, ndërsa realiteti i konfliktit vazhdon të jetë më kompleks dhe më i paqëndrueshëm.
Negociatat e ardhshme pritet të zhvillohen më 10 prill në Islamabad. Deri atëherë, armëpushimi duket më shumë si një pauzë e përkohshme sesa si fund i luftës.







