GJKKO pranon kërkesën e Evis Berberit për gjykim të shkurtuar

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Gjykata e Posaçme ka vendosur të pranojë kërkesën e ish-zyrtarit Ervis Berberi dhe të të pandehurve të tjerë në lidhje me një prej procedimeve penale që lidhen me dosjen e Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke i hapur rrugë gjykimit me procedurë të shkurtuar.

Kjo kërkesë ishte paraqitur që në seancën e parë të shqyrtimit në themel nga Berberi dhe 20 persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Ndërkohë, i vetmi që kërkoi ndarjen e çështjes dhe vijimin e saj me procedurë të zakonshme ishte biznesmeni Valter Begaj, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Megjithëse SPAK kishte kundërshtuar pranimin e procedurës së shkurtuar për Berberin, si dhe për të pandehurit Erjon Lami dhe Brunilda Buli, trupa gjykuese vendosi ndryshe, duke e miratuar kërkesën për të gjithë ata që e kishin paraqitur.

Në total, 21 persona përballen me akuza të rënda që përfshijnë shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si ajo e “ARRSH”.

Sipas hetimeve të SPAK, Ervis Berberi, i arrestuar gjatë vitit 2024, dyshohet se ka qenë i përfshirë në skema korruptive të lidhura me të paktën tetë tendera publikë, me një vlerë të përgjithshme rreth 15 milionë euro. Po ashtu, ai dyshohet se ka ushtruar kontroll faktik mbi kompaninë “DAAM” shpk, e cila ka përfituar tendera në periudhën kur ai mbante poste të larta shtetërore, përfshirë drejtimin e ARRSH-së dhe funksione në fushën e eficencës së energjisë.

Zhvillimet pas arrestimit të tij dhe analizimi i të dhënave të sekuestruara nga pajisjet personale kanë çuar në zgjerimin e hetimeve edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë. Mes tyre janë përfshirë edhe Belinda Balluku, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, si dhe Benet Beci, i cili gjithashtu po përballet me të njëjtën akuzë në gjykim.

Publikuar nga Publik Media