Çfarë pritet? Paralajmërimi i fortë nga Berisha për integrimin në BE
“Do të vendosen një ‘breshëri’ e re kushtesh”
Kreu i PD, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për bllokimin e procesit të integrimit europian, duke e lidhur këtë situatë me atë që ai e cilëson si korrupsion në nivelet më të larta të saj.
Gjatë një tryeze diskutimi mbi zhvillimet në Portin e Durrësit, Berisha u shpreh se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian po pengohet nga abuzimet, duke përmendur konkretisht kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministren Belinda Balluku.
Ai theksoi se në Bruksel ka pasur diskutime të vazhdueshme lidhur me raportin e IBAR, për të cilin, sipas tij, disa vende anëtare kanë shprehur rezerva dhe nuk e kanë pranuar si përfundimtar. Sipas Berishës, kjo situatë pritet të shoqërohet me vendosjen e kushteve të reja për Shqipërinë në procesin e integrimit.
Në vijim, ai ironizoi deklaratat e kryeministrit Rama për uljen e korrupsionit, duke i konsideruar ato të pabesueshme dhe në kundërshtim me perceptimin ndërkombëtar.
“Ka mbi një muaj që në Bruksel, përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare, kanë bërë gjer dje 5 takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë për shkak të vjedhjes së Ramës e Ballukut e AKSHI-t të Lindave. Ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është përfundimtar dhe as të ndërmjetmë, nuk e kanë pranuar. Janë bërë një grup i madh vendesh, të cilët kanë sjellë dje një breshëri të re kushtesh e kërkesash që do t’i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit. Të gjitha këto për vjedhjet e Ramës me Lubi Ballukun e Lindat e tij. Dhe del nga një sallë në një tjetër me patronazhistët hajdutë, e kriminelë elektoralë, duke akuzuar dhe mbrojtur korrupsionin, duke deklaruar se nuk kemi shumë korrupsion.
Kujton se nuk e ka parë bota lakuriq atë kur i bllokoi heqjen e imunitetit të Balluku, mendon se të tjerët nuk e dinë se mbrojti veten e tij e jo Lubinë, mendon se nuk e dinë se Linda e AKSHI-t nuk është gjë tjetër vetëm maska e Lindës së Surrelit. E vërteta është që Shqipëria po ndëshkohet pavarësisht nga mashtrimet e tij, por një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të Islandës, Shqipëria largohet me Edi Ramën, me shpejtësi mbrapa nga horizonti.
Mendon se duke deklaruar se ka më pak korrupsion seç kishte, bëhet më i besueshëm kur të gjithë e dinë se kryehajduti i vendit është ai. Punët e Ramës janë sarajet e Surrelit, pallati i Linda Ramës pa asnjë faturë, porti i Durrësit që shkon disa miliarda, tuneli i Llogarasë, autostrada Librazhd-Dragostunjë, e shembur sikur t’i kesh hedhur bombën më të madhe që ekziston, rrugët e shembura në të 4 anët e vendit,” tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



