Pashalimani jepet për biznes, shteti mban minimum 40% të aksioneve

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një nga bazat më strategjike detare në vend, Baza e Pashalimanit, pritet të marrë një rol të ri ekonomik. Qeveria ka miratuar kushtet që i hapin rrugë bashkëpunimit mes shtetit dhe sektorit privat për zhvillimin e industrisë së ndërtimit dhe riparimit të mjeteve lundruese.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëria shtetërore KAYO do të hyjë në negociata me kompani private për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare. Kjo strukturë e re do të operojë në territorin shqiptar dhe do të fokusohet në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e anijeve, si për përdorim ushtarak, ashtu edhe civil.

Në këtë partneritet, shteti shqiptar do të mbajë jo më pak se 40% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do t’i përkasë investitorit privat. Kontributi i “KAYO” do të jetë përmes vënies në dispozicion të aseteve ekzistuese në kantierin detar të Pashalimanit, pa të drejtë tjetërsimi.

Vendimi përcakton qartë edhe detyrimet e palës private, e cila duhet të garantojë transferimin e teknologjisë, ofrimin e ekspertizës, sigurimin e projekteve konkrete, si dhe trajnimin e personelit shqiptar. Po ashtu, partneri privat do të duhet të sigurojë rrjete shpërndarjeje dhe mundësi eksporti për produktet që do të prodhohen.

Nga ana tjetër, shteti do të ketë rol kyç në drejtimin e kompanisë së re. “KAYO” do të përfaqësohet në organet drejtuese dhe do të ketë të drejtë vetoje për vendimet strategjike, përfshirë përzgjedhjen e administratorëve.

Siguria e infrastrukturës dhe e stafit do të mbetet nën përgjegjësinë e Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke ruajtur kështu standardet e nevojshme për një aset me rëndësi të veçantë.

Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe hyn në fuqi menjëherë, duke hapur një kapitull të ri për shfrytëzimin ekonomik të një prej pikave më të rëndësishme detare në vend.

VENDIMI FIRMOSUR NGA RAMA

V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE, PËR KRIJIMIN E NJË SHOQËRIE TË PËRBASHKËT, ME QËLLIM NDËRTIMIN E RIPARIMIN E MJETEVE MOTORIKE LUNDRUESE USHTARAKE DHE CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të ndodhura në kantierin detar të Pashalimanit, pasuri, të cilat do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:
a) transferimin e njohurive teknike, si edhe të praktikave operacionale dhe të procedurave të brendshme lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
b) ofrimin e projekteve dhe të kontratave për ndërtimin e mjeteve lundruese në kantierin detar të Pashalimanit;
c) vënien në dispozicion të shoqërisë aksionare, që do të krijohet, të burimeve njerëzore dhe mbështetjen teknike e logjistike për ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese në kantierin e Pashalimanit;
ç) ofrimin e trajnimeve të personelit shqiptar lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
d) ofrimin e asistencës për përshtatjen e kurrikulave mësimore lidhur me aktivitetin e riparimit e të ndërtimit të mjeteve lundruese për institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë;
dh) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së mjeteve motorike lundruese detare, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përfshijë ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë, si dhe për përdorim civil.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet, do të zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, minimalisht, 40% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a, në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të dala nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Publikuar nga Publik Media